“Në protestë ishin 120 mijë qytetarë”, Vokshi: Prezent edhe ish-drejtorët e Veliajt

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka folur lidhur me protestën e mbajtur ditën e djeshme në Tiranë. Gjatë një interviste në emisionin “Debat nga Alba Alishani”, Vokshi bëri me dije se në protestën e organizuar nga opozita pasditen e së martës morën pjesë 120 mijë protestues.

Madje, sipas Vokshit në Bulevard ishin të pranishëm dhe ish-drejtorë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Nuk ka njeri që nuk e ka të qartë që opozita ka mbështetje, ishte përtej pritshmërive për mirë. Kisha besimin e plotë, nga struktura nga daljet në degë që do kishim numra të mëdhenj dhe tentonim të shkonim te një nga protestat më të mëdha, si protesta e 7 korrikut, kjo e djeshme, kishte 25% më shumë, ka pasur më shumë se 120 mijë në shesh.

Kemi parë edhe ish-drejtor të Veliaj me familje që i kemi identifikuar, sepse kanë dalë ato që mund të mos i kemi kontaktuar direkt, por mesazhi ynë ka shkuar, dhe kushdo që ka pasur një arsye për të dalë dje ka pasur ditën për të dalë”, bëri me dije deputetja.

Vokshi u shpreh se protesta e djeshme vërtetoi se opozita është në këmbë, është e fortë dhe se qytetarët mbështesin opozitën e bashkuar.

“Protesta e djeshme ka vërtetuar që opozita është në këmbë, që është më e fortë, që opozita e bashkuar është e mirëpritur, sepse qytetarët dolën për mesazhin e bashkimit të opozitës, por edhe frontit të opozitës dhe kanë përshëndetur dhe mbështetur dhe aksionin opozitar si brenda dhe jashtë parlamentit, në rrugën e Shpresës”, tha Vokshi ndër të tjera.


Shtuar 21.02.2024 22:20