Mëngjesin e sotëm, është paraqitur para gjykatës së qytetit të Kretës Iraklio në Greqi, për procedurën e shfajësimit 39-vjeçari shqiptar, që qëlloi me armë zjarri bashkëjetuesen rumune 4 ditë më parë.
Të shtunën 39-vjeçari Gentian Mino, u paraqit në prokurori ku u vendos ndjekja penale për vrasje me dashje në gjendje të qetë shpirtërore, armëmbajtje pa leje dhe qarkullim me armë.
39-vjeçari kërkoi të shtunën afat ditën e sotme, për procesin e shfajësimit para hetuesisë.
Çifti jetonte në një apartament në katin e 2-të, në rrugën Patroklou, në zonën e Kretës Kaminia, ku 39-vjeçari vrau të renë mëngjesin e së premtes së kaluar.
Sipas mediave lokale, autori duket se ka konsumuar një sasi të madhe alkooli para se të kthehej në shtëpi.
Më pas pasoi një përleshje e egër me partneren e tij, sipas fqinjëve të cilët kanë thënë për median se javët e fundit, çifti debatonte shpesh me zë të lartë.