Nuk e fitoi çmimin ‘Grammy’ as këtë vit edhe pas katër nominimesh, Bebe Rexha: Unë jam vetë çmimi

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka qenë edhe këtë vit e nominuar për një nga çmimet e mbrëmjes më të madhe vjetore të ndarjes së çmimeve të muzikës, “Grammy Awards”.

Ajo luftoi për të marrë çmimin “Kënga më e mirë e zhanrit Dance/Pop”, ku ishte nominuar për këngën “One In A Million”, por që ky çmim shkoi në duart e artistes australiane Kylie Minogue për hitin e saj “Padam Padam”.

Megjithëse ka qenë e nominuar edhe tri herë të tjera, një herë në vitin 2023 dhe dy herë në vitin 2019 – Bebe Rexha nuk ka arritur asnjëherë që të fitojë një “Grammy” deri më tani në karrierën e saj.

Sado që kjo e ka lënduar këngëtaren duke mos e bërë të ndjehet e vlerësuar, ajo ka qëndruar e motivuar duke publikuar në llogarinë e saj në Instagram disa fotografi ku kishte shkruar “Unë jam çmimi”.

Ajo gjithashtu publikoi në ‘chatin’ e fansave të saj në Instagram një mesazh zanor, ku thoshte: “Ja pra ku jemi, katër nominime, katër humbje. Por gjithsesi, unë u duka sikur çmim natën e mbrëmshme dhe unë jam vet çmimi”.

Bebe Rexha ka qenë një pretendente shumë e fortë për të fituar çmimin “Grammy” vitin e kaluar, pasi ishte nominuar për hitin e saj “I’m Good (Blue)” me David Guettan, për çmimin “Kënga më e mirë ritmike/elektronike”.

Ky çmim kishte shkuar në duart e Beyonce për këngën e “Break My Soul”, e cila çuditërisht ka shumë më ak popullaritet dhe dëgjime në platformat muzikore, se sa hiti e artistes me origjinë shqiptare.


Shtuar 6.02.2024 23:28