Trump dhe Haley përballen kokë më kokë në New Hampshire

Votuesit në Nju Hempshir, do të votojnë  për rrethin e parë të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, teksa ish-presidenti amerikan, Donald Trump, përballet me kundërshtaren e tij republikane Nikki Haley.

Ish-presidenti Trump, shpreson që të mposhtë ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, dhe ish-ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Haley, në anën tjetër, ka shpresë që votuesit e pavarur do t’i ndihmojnë për të fituar garën.

Kjo është gara e dytë që zhvillohet në mesin e republikanëve, pas fitores së Trumpit në Ajova, javën e kaluar.

Kushdo që fiton nominimin do të përballet më pas me një demokrat – ka mundësi të jetë presidenti aktual, Joe Biden – në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Edhe demokratët do të votojnë të martën në rrethin e parë të zgjedhjeve në Nju Hempshir, mirëpo për shkak të mospajtimeve mes zyrtarëve partiakë lokalë dhe atyre në nivel kombëtar, Biden është presidenti i parë në detyrë, emri i të cilit nuk është në fletën e votimit.

Gara për nominimin e republikanëve është ngushtuar në dy të dielën, pasi guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, i ka dhënë fund fushatës dhe i është bashkuar kampit të Trumpit.


Shtuar 23.01.2024 10:45