BSH: Rritja e normave të interesit për kreditë nuk jep ndikim te kërkesat e individëve dhe bizneseve

Rritja e normave të interesit për kreditë nuk ka dhënë ndikim te kërkesat e individëve dhe të bizneseve për të marrë hua. Banka e Shqipërisë raporton se në tre mujorin e fundit të vitit u shënua një rritje e kërkesave si për blerje banese ashtu dhe për zgjerim të investimeve.

Por institucionet financiare kanë zgjedhur të mbështesin më shumë biznesin e vogël dhe të mesëm se sa të drejtohen nga investitorët e mëdhenj. Por kriteret e shtuara, siç thuhet në dokument, kanë bërë që të ketë një rritje të lehtë të refuzimit të kërkesave.

Historiku i kreditimeve dhe shlyerja korrekte ose jo në të shkuarën, marrëdhënia me bankën dhe punësimi për individët dhe rezultatet e fitimit për bizneset kanë qenë vendimtare në shqyrtimin e kërkesave prej bankave.

Megjithatë konkurrenca e lartë bën që institucionet financiare të krijojnë edhe lehtësira për subjektet që u drejtohen për të siguruar fonde, sidomos në rastet kur sigurojnë kolateralin.

Sa i takon parashikimit për 3 muajt e parë të këtij viti Banka vlerëson se kërkesa për kredi nga bizneset pritet të qëndrojë në nivele të larta.


Shtuar 21.01.2024 21:01