Lezha solli në kujtese 321-vjetorin e Kuvendit të Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme pas Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit. Në kishën e restauruar në fshatin Mërqi u organizua veprimtaria përkujtimore ku morën pjesë historianë, autoritetet lokale, përfaqësues të klerit katolik dhe banor të zonës.
Përfaqësuesi i dioqezës së Lezhës dhe autoritete lokale vlerësuan rëndësinë e Kuvendit të Arbrit, i cili mori një sërë vendimesh të rëndësishme për kombin.
“Kuvendi kishtar i Arbrit, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviqit dhe me pjesëmarrjen e ipeshkvinjve nga gjithë trevat shqiptare ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për arsimin. Kishte nevojë për unitet, kur kishte marrë hov perandoria osmane dhe po asimilohej gjuha shqipe”, tha studiuesi Dom Nik Ukgjini.
Kuvendi Kishtar i Arbrit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14-15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit me përkrahjen e Papës me prejardhje shqiptare Klementi XI. Ndër vendimet kryesore ishin hapja e shkollave dhe botimet ne gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve të XVIII dhe XIX.