Shtetasi shqiptar Fatmir Terallari, i cili vrau kunatin e tij 33-vjeçar, pasi e bija i rrëfeu se ishte përdhunuar për 9 vite rresht nga vëllai i njerkës së saj, ka rrëfyer fjalë prekëse përpara autoriteteve greke. “Më helmoi, më shkatërroi jetën dhe si baba nuk mund të rrija pa vepruar”.
Në një intervistë televizive, gazetari Edmond Guri, ka folur mbi dinamikën dhe raportimin në mediat helene të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Gazetari Guri, vlerësoi se viti 2024 ka nisur me dinamika të rënda të ngjarjeve, sa i përket komunitetit shqiptar që jeton e punon në Greqi.
Ai theksoi se kjo ngjarje ka bërë që opinioni publik si në shumë pak raste, të rreshtohet në krah të autorit të krimit.
Ai theksoi se qytetarët e shohin monstruoz veprimin e 33-vjeçarit, ndërsa në shumë komente kërkojnë që 50-vjeçari Terallari të trajtohet ndryshe.
“Është një ngjarje shokuese që ta tronditur mbarë opinionin publik dhe që në momentin kur u bë me dije lajmi i gjithë opinioni, mediat dhe qytetarët kanë shprehur një solidaritet dhe mbrojtje të autorit që edhe pse kemi të bëjmë me një krim, kemi të bëjmë me një viktimë që ishte monstër që ka abuzuar me vajzën që kur ajo ishte në moshën 9-vjeçare. Dhe jo vetëm kaq. Ka filmuar momentet intime, ka shantazhuar më pas për lekë.
Kjo ka bërë që vajza të mos duronte më dhe t’ia tregonte ngjarjen të atit, i cili në atë moment është rrënuar dhe dorëzuar si prind dhe menjëherë ka sajuar skenarin atë që ai i tha dhe policëve, ka bërë sikur makina etij kishte pësuar defekt dhe ka lajmëruar kunatin, apo vëllain e gruas së dytë. Dhe pasi e ka vrarë me armë gjahu, ka telefonuar policinë duke i treguar që: “Unë sapo vrava një njeri”, dhe më pas ka telefonuar të shoqen së cilës i ka thënë: “Ta vrava vëllanë” dhe ka shkuar drejt policisë ku dhe është dorëzuar”, rrëfeu gazetari.
A ka folur nëna e vajzës dhe vetë vajza?
“Të gjithë kanë folur, por për të mbajtur të sekretin hetimor dhe për të shmangur probleme të tjera, ka një trajtim personal nga ana e autoriteteve greke, sepse kështu duhet të ndodhë pasi mund të ketë dhe ndonjë reagim edhe nga pala tjetër, edhe pse krimi është monstruoz, por në momente të tilla mund të ketë përplasje që duhen devijuar.
Ajo që është shokuese është fakti që kemi të bëjmë me një njeri monstër, i cili e ka përdhunuar dhe shantazhuar dhe ka shkaktuar aq dëme që kulmuan me vrasjen e tij, duke e detyruar të atin e vajzës i cili si prind siç dhe tha në polici: “Më helmoi, më shkatërroi jetën dhe si baba nuk mund të rrija pa vepruar”.
Gruaja sigurisht që është marrë në pyetje, pasi i janë sekuestruar celularë dhe pajisje, por i vetmi prononcim që ka bërë ajo deri tani është deklarata që: “Nuk dija gjë”!”, theksoi gazetari Edmond Guri.