Vrasja e gjyshit të Luka Modric, ish-ushtari serb paditet nga shteti kroat

Vrasja e gjyshit të Luka Modric nga milici serb, Zeljko Badza në vitin 1991 është kthyer përsëri në çështje. Zyra e prokurorit shtetëror të qarkut të Split tha se është ngritur një aktakuzë.

Zeljko Badza, që tani është në moshën 63-vjeçare akuzohet për krime lufte dhe vrasjen e shtatë civilëve në territorin kroat të pushtuar nga rebelët serbë në vitin 1991. Pikërisht një nga ato viktima ka qenë edhe gjyshi i yllit të Real Madrid.

Vetë Modric nuk ka folur për këtë aktakuzë. Por në të kaluarën, fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2018 ka treguar se sa shumë ka ndikuar vdekja e gjyshit.

“Isha shumë i lidhur emocionalisht me gjyshin tim. Unë trashëgova emrin e tij. Nuk është e lehtë kur i ndodh një të riu një fatkeqësi e tillë, nuk mund ta kuptosh”, ka thënë Modric asokohe. /newsport.al/


Shtuar 5.01.2024 18:51