Trump apelon vendimin e shtetit Maine që e përjashton atë nga fleta e votimit

Ditën e djeshme, ish-presidenti Donald Trump, apeloi vendimin e sekretares demokrate të shtetit Maine, që e përjashton atë nga fleta e votimit, lidhur me rolin e tij në trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021.

Zoti Trump, pritet që të kërkojë gjithashtu nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, që të marrë një vendim lidhur me çështjen e ngritur në Kolorado që e skualifikon atë nga pjesëmarrja në fletën e votimit.

Demokratja Shenna Bellows, është sekretarja e parë në historinë e shtetit Maine që e ndalon kandidaturën e një kandidati për president, në bazë të një klauzole të Amendamentit të 14 të Kushtetutës që është përdorur rrallë herë.

Dispozita ligjore ndalon që një individ i përfshirë në kryengritje të mbajë një post publik.

Apelimi i zotit Trump në Gjykatën e Lartë të shtetit Maine, deklaron se sekretarja Bellows nuk kishte juridiksion për këtë çështje dhe kërkon që asaj t’i kërkohet që të vendosë emrin e zotit Trump në fletën e votimit, për zgjedhjet paraprake të 5 marsit.

Kërkesa argumenton se ajo i tejkaloi kompetencat dhe u bazua në ‘fakte të pabesueshme’.

“Sekretarja duhet të tërhiqej për shkak të njëanshmërisë së saj kundër Presidentit Trump, siç tregon e kaluara e saj e dokumentuar në deklaratat e mëparshme që paragjykon çështjen në fjalë”, thanë avokatët e zotit Trump.

Sekretarja Bellows, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press të martën se vendimi i saj ishte i ngirë në pritje të vendimit pas apelimit.

“Kjo është pjesë e procesit. Unë kam besim tek vendimi im dhe zbatimi i ligjit. Ky është procesi i shtetit Maine dhe është shumë e rëndësishme që para së gjithash, secili prej nesh që shërben në qeveri të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit”, tha ajo.

Të martën zoti Trump pritej që të apelonte në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, edhe një vendim të ngjashëm nga Gjykata e Lartë e Kolorados.

Gjykata më e lartë e Shteteve të Bashkuara, asnjëherë nuk ka dalë me një vendim lidhur me klauzolën në fjalë.

Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados, shënon herën e parë në histori që citon dispozitën ligjore për të përjashtuar një kandidat nga fleta e votimin presidencial.

Kundërshtarët e zotit Trump, kanë ngritur dhjetëra padi në shumë shtete duke kërkuar që ta skualifikojnë atë nga votimi.

Asnjë padi nuk pati sukses derisa një shumicë e vogël nga shtatë gjyqtarëve të Kolorados, të gjithë të emëruar nga guvernatorë demokratë, vendosën kundër zotit Trump.

Kritikët thonë se vendimi 4-3 i kishte tejkaluar kompetencat dhe se gjykata nuk mund të deklaronte se trazirat e 6 janarit ishin kryengritje pa një proces të gjerë gjyqësor.

Një javë pas vendimit të Gjykatë së Lartë të Kolorados, zonja Bellows mori vendimin e saj.

Kritikët thonë se vendimi ishte edhe më i rrezikshëm, sepse mund të hapte rrugën për zyrtarët partiakë zgjedhorë që thjesht të skualifikonin kandidatët që kundërshtojnë.

Zonja Bellows, e ka kritikuar më parë qëndrimin e zotit Trump lidhur me ngjarjet e 6 janarit.

Zonja Bellows, e cila ka thënë se pikëpamjet e saj personale nuk kishin asnjë lidhje me vendimin, është zyrtarja e parë e lartë zgjedhore që mori vendimin për të përjashtuar zotin Trump nga fleta e votimit.


Shtuar 3.01.2024 08:10