“Flakët në pallat janë shuar”, kreu i Zjarrfikëses Tiranë: S’ka rrezik për riaktivizim të vatrave

Kreu i shërbimit Zjarrfikës të Tiranës Shkëlqim Goxhaj ka zbuluar gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë për News24 se situata në pallatin 12-katësh në Lushnje është vendosur nën kontroll.

Goxhaj u shpreh se zjarri tanimë është shuar dhe në godinë ka vetëm sasi tymi, për të cilat po punohet nga forcat zjarrfikëse.

Sakaq, ai shtoi se nuk ka më rrezik për një riaktivizim të zjarrit apo ndonjë vatre tjetër.

“Nuk kemi qenë aty momentet e para, por për momentin situata është nën kontroll. Ka vetëm sasi tymi në ambientet e qendrës tregtare, nuk ka më zjarr. Punonjësit ende po punojnë në vendin ku ishte vatra kryesore. Situata është normalizuar, nga kontrollet që kemi ushtruar janë evakuuar të gjithë banorët. Nuk ka më rrezik për një riaktivizim të zjarrit apo ndonjë vatre tjetër, të gjitha forcat janë në gatishmëri”, u shpreh ai.