Deputeti demokrat Gazmend Bardhi ka reaguar në lidhje me vendimin e mazhorancës e cila futi me procedurë të përshpejtuar në parlament miratimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Miratimi i të marrëveshjes pritet në seancën e datës 14 Dhjetor 2023.
Bardhi bëri me dije se ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procedurës parlamentare për riatifikimin e marrëveshjes.
Ai shtoi gjithashtu se mazhoranca socialiste po përfiton nga heshtja e çuditshme e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar me mënyrë të përshpejtuar marrëveshjen me Italinë.
Reagimi i plotë:
Marrëveshjet ndërkombëtare i nënshtrohen kontrollit nga Gjykata Kushtetuese përpara ratifikimit të tyre. Mazhoranca socialiste, edhe pse ka një kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë, duke shfrytëzuar heshtjen e çuditshme të Gjykatës Kushtetuese, po shqyrton me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen me Italinë dhe në kundërshtim me kalendarin e miratuar nga Konferenca e Kryetarëve parashikon miratimin e saj në seancën e datës 14 Dhjetor 2023.
Sot kam ripërsëritur për herë të tretë kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes. Gjykata Kushtetuese duhet të sillet si e tillë dhe jo si shtojcë pa vlerë e Qeverisë së Edi Ramës. Marrja në shqyrtim paraprak menjëherë e kërkesës së opozitës është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese! E kundërta është atentat ndaj shtetit ligjor dhe minon përfundimisht besimit tek Gjykata Kushtetuese.