Iu prenë ëndrrat në mes nga aksidenti tragjik, përcillet për në banesën e fundit Eva

Eva Tavo, vajza e ish-deputetit Vangjel Tavo, e cila humbi jetën nga një aksident tragjik në Maqedoninë e Veriut është përcjellë sot për në banesën e fundit.

24-vjeçarja nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra pas aksidenti të rëndë që ndodhi disa ditë më parë.

E reja ishte pasagjerë në një automjet tip “Audi” që po udhëtonte nga Tetova drejt Shkupit.

Sipas policisë mjeti me targa shqiptare, që drejtohej nga 40-vjeçari me inicialet V.M., doli nga autostrada “Nënë Tereza”, në fshatin Laskarci, në orën 14:00, dhe u përmbys.

Për pasojë vajza e Tavos humbi jetën në vend, ndërsa shoferi është dëmtuar rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

“Me datë 28.11.2023, në ora 14:00 në SPB-Shkup është raportuar se në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, automjeti i pasagjerëve “Audi” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga shtetasi shqiptar V. M. (40), ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra në aksident, pasagjerja E.T.(24) nga Republika e Shqipërisë ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Ndërsa, i plagosur rëndë ka mbetur shoferi V.M”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.

Ka qenë vetë ish deputeti Vangjel Tavo i cili njoftoi mbrëmë ngjarjen e rëndë.

“Këto janë fjalët më të vështira që shkruaj në jetën time. Vajza ime e madhe Eva u nda nga jeta në kulmin e rinisë, në moshën më të bukur, siç ishte edhe vetë ajo. Varrimi bëhet ditën e enjte, datë 30 nëntor, ora 11:00 në Jorgucat, Gjirokastër. Vangjel Tavo“, ka shkruar ish-deputeti në Facebook.

Eva Tavo ishte vajza e madhe e ish-deputetit, mamaja e së cilës vite më parë kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë.


Shtuar 30.11.2023 12:16