Në fije të perit, sytë dhe zemrat e botës janë në këtë pikë të globit, ku paqja dhe lufta mund të vendosen në çdo sekond

Palët në Izrael dhe Gaza kanë rënë dakord përmes negociatorëve që të shtyjnë edhe me një ditë marrëveshjen për armëpushim, ndërkohë që vijon shkëmbimi i pengjeve izraelit me të burgosurit palestinezë.

Ndërkohë që ndodh kjo, disa incidente kanë ndodhur në Bregun Perëndimor si edhe në Jerusalem, ku nga një sulm terrorist u vranë tre persona këtë mëngjes.

Është e paqartë se si këto incidente në Jerusalem, Betlehem dhe Jenin do të ndikojnë në armëpushimin e përkohshëm që lejon shkëmbimin e vazhdueshëm të pengjeve dhe të burgosurve.

Ministri izraelit Itamar Ben-Gvir që i përket një partie të ekstremit të djathtë, mbërriti shpejt në vendin e të shtënave të mëngjesit të sotëm duke mbështetur armatimin e civilëve izraelitë. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për rifillimin e luftës së Izraelit në Gaza për të mposhtur Hamasin.

Ndërkohë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Izrael, teksa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shprehë mbështetjen e tij për zgjatjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, duke mundësuar lirimin e edhe më shumë pengjeve në Gaza.

Lirohet palestinezja e famshme, tronditet “qyteti i Zotit”: Kush po i hedh benzinë zjarrit?

Aktivistja palestineze Ahed Tamimi ishte një nga 30 të burgosurit palestinezë që u lirua nga Izraeli të mërkurën, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin.

Shërbimi i burgjeve të Izraelit tha se një grup të burgosurish i përbërë nga burra dhe gra ishte liruar nga disa burgje të vendit.

22-vjeçarja Tamini u arrestua në fillim të këtij muaji për një postim në Instagram, të cilin familja e saj thotë se ajo nuk e kishte shkruar.

Ndërkohë që po vijon armëpushimi dhe shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve, një sulm terrorist ndodhi mëngjesin e sotëm në Jerusalem duke vrarë tre persona. Duket se dikush nuk është i interesuar për paqe në Lindjen e Mesme duke i hedhur benzinë zjarrit sa herë që palët përpiqen të ulin gjakrat. /albeu.com

 

 

 


Shtuar 30.11.2023 11:38