Shqipëria sot feston 111-vjetorin e krijimit të shtetit. Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Parada e shqiptarëve. Me pjesëmarrjen e mijërave shqiptarëve nga të gjitha trojet, parada do të mbledhë mbi 150 Ansamble popullore.
Në këtë ditë të veçantë për shqiptarët nuk kanë munguar as urimet nga politika.
Kreu i qeverisë Edi Rama, zgjodhi një foto të veçantë për të uruar shqiptarët.
Edi Rama: Gëzuar përvjetorin e 111 të Flamurit të Pavarësisë.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani shkruan se sot vendi ynë është faktor stabiliteti e orientimi euroatlantik në rajon.
Igli Hasani: Në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, urime të përzemërta për të gjithë shqiptarët në mbarë botën! Modeli ynë i bashkëjetesës, dialogut, mikpritjes e tolerancës, vendosmëria për të parë përpara e ringritur pas çdo vështirësie me kokën lart, janë burim frymëzimi e krenarie për breza shqiptarësh në Shqipëri, rajon e botë që sot shkëlqejnë në art, sport, diplomaci, teknologji e çdo punë të ndershme.
Këto vlera janë dhe themeli i punës dhe angazhimit tonë të palëkundur si faktor stabiliteti e orientimi euroatlantik në rajon, duke e bërë Shqipërinë të njihet sot si një kontribuuese e respektuar në arenën ndërkombëtare. Gëzuar pavarësinë Shqipëria jonë.
Të gjitha urimet nga politika
Sali Berisha: Gëzuar miq, Festën e Flamurit!
Lindita Nikolla: Sot 111-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, përpjekjet e patriotëve e shqiptarë, të mendjes e të pushkës, u kurorëzuan me sukses me shpalljen e pavarësisë dhe themelimin e shtetit shqiptar të pavarur. Pasi u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorën e Flamurit, flamuri kuq e zi, deri atëherë shenja jonë kombëtare, u bë edhe simboli shtetëror i Shqipërisë së pavarur.
Ja si e përshkruan këtë ngjarje madhore të historisë kombëtare, Ati Themelues i Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemali: “Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë.”
Dhe më poshtë, për të treguar se pavarësia, liria dhe integriteti i shtetit shqiptar, kërkon edhe sakrifica sublime, vijon: “I drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut.”
Fjalë inspiruese të një jete e vepre inspiruese në shërbim të atdheut! Sakrifica është shenja më domethënëse e patriotizmit. Shqipëria është sot mes kombeve demokratike e të qytetëruara, anëtare e NATO-s, partnere e denjë e SHBA, që avancon me shpejtësi drejt familjes evropiane, në mbrojtje të paqes, lirisë, pavarësisë dhe integritetit të kombeve.
Ilir Meta: Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit që bashkon të gjithë shqiptarët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Adem Jasharin! Nderimin më të thellë për Atin e Shqipërisë, themeluesin e shtetit tonë modern, Ismail Bej Vlorës dhe veprës së ndritur të shumë patriotëve të tjerë që përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!
Lulzim Basha: Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri! Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët për festën e flamurit kuq e zi, simbolit tonë të shenjtë të lirisë dhe krenarisë kombëtare!