Shkelën ligjin, pezullohen nga detyra 4 punonjës të Policisë së Shtetit

Tre  oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës dhe 1 trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë janë pezulluar nga detyra.

Policia ka informuar se 4 punonjësit kanë qenë në shërbim kur Afrim Kila, i dënuar me 16 vite arrest shtëpie për vrasje me dashje, është larguar nga banesa.

Njoftimi

Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për shkelje të pikës 5 të nenit 209 të rregullores së Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë:

-Inspektorë B. V., K. D. dhe O. Sh., të tre oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës;

-Inspektor S. K., trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë.

4 punonjësit e Policisë janë pezulluar nga detyrat, pasi kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, shtetasi A. K., për të cilin Gjykata e Apelit, Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Ndërkohë, AMP-ja ka iniciuar hetim penal për këtë rast dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin ligjor të përgjegjësive.


Shtuar 24.11.2023 13:15