Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi kanë folur për mediet pas përfundimit të seancës parlamentare.
Edhe pse ishte parashikuar një seancë maratonë, ku do diskutohej projekt-buxheti i vitit 2024, deputetët e opozitës nuk lejuan vijimin e saj, pasi ndezën flakadanë dhe tymuese brenda sallës.
Nikolla më pas mori vendimin që projekt0buxheti të kalonte në votim dhe u miratua në parim me 83 vota pro.
Bardhi dënoi ashpër miratimin e projekt-buxhetit vetëm me votat e PS-së.
Ai tha se rrethimi i sallës së Kuvendit me Gardistë, është antikushtetuese dhe e paprecedentë.
Bardhi: Do të duhet ju t’i kërkoni llogari kryetares së Kuvendit se pse ju gënjeu të shtunën ku mohoi urdhrin e paligjshëm, që mbushi sallën e Kuvendit me gardistë. Shqipëria është anëtare e NATO-s, pret që të anëtarësohet në BE. Sot deputetët kanë qenë të rrethuar nga forcat e sigurisë sikur të ishim vend në gjendje lufte. E vetmja arsye se pse salla e Kuvendit ishte mbushur me forca të gardës, ishte se në sallë ishte kryeministri Rama. Një frikacak që për të ardhur në seancë blindoi sallën. Nuk kemi përplasje me Gardën. Nuk e kemi betejën me Gardën e Republikës. Sipas Ligjit Garda nuk mund të futet në seanca për të rrethuar deputetët e Kuvendit.
Nga ana tjetër, Berisha tha se flakadanët dogjën procedurën antikushtetuese.
Berisha: Mendoj se sot ishte kulmore, pasi sot nuk kaloi asgjë. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese aty. Mos i shihni si flakadanë, por si një mjet që dogji procedurën antikushtetuese. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese të shumicës. …Rama po ndiqte Facebook-un tim nga dhoma. Aty ishte kohë proteste. Unë ia numërova një për një dhe ai po ndiqte një nga një nga zyra e Lindës. Procedura e buxhetit ishte antikushtetuese, antiligjore./albeu.com