Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 40-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri. Fillimisht policët kuptuan se ai po gënjente kur panë që tregoi një patentë tjetër dhe jo të veten. Ndërkohë që konstatuan këtë, policët kryen edhe një kontroll në makinë duke gjetur një armë pa leje.
“Si rezultat i kontrolleve, është kapur në flagrancë një 40-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pistoletë, në automjet. Në momentin e ndalimit në rrugë, 40-vjeçari i papajisur me leje drejtimi, iu ka paraqitur punonjësve të Policisë, lejen e drejtimit të një shtetasi tjetër. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me krehër me fishekë dhe automjeti që 40-vjeçari e drejtonte pa leje drejtimi. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë intensifikuar kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërive, kryesisht për kapjen e shtetasve në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri“, njofton policia.
Kështu, 40-vjeçari duhet të përgjigjet për dy akuza tashmë, atë të drejtimit të mjetit pa leje drejtimi si edhe “armëmbajtje pa leje”. /albeu.com