Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Berisha: Rama i gatshëm të firmosë çdo gjë për të shpëtuar “menderen”

Sali Berisha ka shkuar ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit ku është ndalur dhe ka folur për gazetarët.

Ai është ndalur te marrëveshja e firmosur ditën e djeshme mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shëngjin.

Berisha: Duke shprehur respektin tim për kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, më duhet t’i them se firma e Edi Ramës në atë marrëveshje është e pavlefshme. Është e pavlefshme sepse Edi Rama është kryeministër nën hetim ndërkombëtar dhe është i gatshëm të firmosë çdo gjë për të lehtësuar dhe shpëtuar menderen e tij nga ai hetim ndërkombëtar i pashpresë. Edi Rama është bashkëfajtor me McGonigal, aq sa ka pranuar McGonigal përpara gjykatësit të Uashingtonit, por edhe disa të tjera që ne do ia dërgojmë gjykatës dhe Kongresit të SHBA në hetim.
Në këtë kontekst, asnjë lloj firme e tij nuk ka më vlerë. Së dyti, Shqipëria ka me Italinë një marrëveshje të firmosur nga qeveria e PD, asokohe ministër i Brendshëm ka qenë, i ndjeri president i Italisë, Giorgio Napolitano. Në këtë marrëveshje, me vendin mik ramë dakord, që çdo emigrant që kalon nga Shqipëria në Itali, i vendeve të tjera, të kthehet në Shqipëri për t’i nsur në vendin e tij. Pra, marrëveshja është e tillë.

Për sa i përkes kaosit të krijuar ditën e djeshme, pasi garda i mbylli derën deputetëve të përjashtuar të opozitës dhe nuk i lejoi të hynin në Kryesi, Berisha tha se protesta nuk do të ndalet.

Berisha: Këto akte tregojnë degradimin ekstrem të një regjimi, që ka për ligj, ligjet e drogës, kodet e drogës, krimit, vjedhjes dhe korrupsionit. Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo betejë është betejë me të keqen më të madhe të historisë sonë kombëtare pas Enver Hoxhës. Edi Rama bllokon komisionet hetimore parlamentare, sepse e di se ata do nxjerrin para shqiptarëve të gjithë vjedhjet, të gjithë plaçkitjet, të gjithë përvetësimet që ai ka bërë me sojin e tij, pasurive publike, fondeve publike. Do nxjerrin se si për interesat e tij dhe të klaneve të tij kriminale, porti mijëravjeçar i Durrësit përfundon në hiç, vetëm që ky me klanet e tij në Dubai dhe kudo që i ka, të ndërtojë mbi 12 mijë apartamente, të përvetësojë 1.2 milionë metër katror truall publik./albeu.com