Boris Johnson largohet nga politika dhe i rikthehet gazetarisë

Ish-kryeministri Boris Johnson i është rikthyer gazetarisë, kjo pasi ka nënshkruar për t’u bashkuar me kanalin televiziv “GB News”, raportojnë mediat e huaja. Johnson do të punojë për televizionin si prezantues, programues dhe komentues.

Kanali njoftoi se ish-kryeministri do të luajë “një rol kyç” në mbulimin e tij të zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar të vitit të ardhshëm dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ndërkohë Johnson, i cili ishte gazetar para se të hynte në politikë tha se do të jepte “pikëpamje të pazbardhura për gjithçka nga Rusia, Kina, lufta në Ukrainë”.

“Jam i emocionuar të them se së shpejti do t’ju bashkohem në GB Neës. Unë do t’i jap këtij kanali të ri televiziv të mrekullueshëm pikëpamjet e mia të pazbardhura për gjithçka, nga Rusia, Kina, lufta në Ukrainë, si i përballojmë të gjitha ato sfida,”-tha ish-kryeministri britanik në njëpostim në “X”.

Johnson është politikani i fundit konservator që i është bashkuar transmetuesit, pas ish-sekretarit të biznesit Jacob Rees-Mogg, nënkryetarit të partisë Lee Anderson dhe bashkëshortëve deputetë Esther McVey dhe Philip Davies.


Shtuar 27.10.2023 22:19