Qeveria nuk komenton vendimin e GJKKO për Berishën: Luftuam që drejtësia të ishte e pavarur

Partia Socialiste nuk e ka komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për vendosjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”  dhe “ndalim i daljes jashtë shteti” për ish-kryeministrin Berisha.

Ministrja e turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, komunikoi për gazetarët vendimet e marra.

Ndër të tjera ajo u pyet edhe për vendimin e GJKKO-së, por tha se nuk ka komente për veprimet e instancave të drejtësisë.

“Sikurse sa herë si anëtarë të qeverisë jemi pyetur për veprimet e instancave të drejtësisë, ne nuk kemi bërë komente”, tha Kumbaro.

E pyetur nga gazetarët nëse është shkelur Kushtetuta për rastin e Berishës, ministrja Mirela Kumbaro në emër të qeverisë tha se nuk do japin koment, por do respektojnë ndarjen e pushteteve. Ajo theksoi se mazhoranca ka iniciuar ngritjen e SPAK dhe GJKKO dhe kanë luftuar që të punojnë të pavarura, prandaj s’do të flasin as për rastin e Berishës.

“Respektojmë ndarjen e pushtetit, e respektojmë më shume se kushdo tjetër se kjo qeveri ka qenë ajo që e ka themeluar, ka luftuar që ky sistem, GJKKO dhe SPAK të ngrihen të funksionojnë në kushtet më të mira të mundshme. S’ben përjashtim asnjë veprim, janë veprime procedurale, s’kemi komentuar dhe nuk bëj asnjë përjashtim për rastin në fjalë”, tha Kumbaro pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë./Albeu.com 


Shtuar 25.10.2023 10:11