Një uragan i përshkruar si “jashtëzakonisht i rrezikshëm” ka goditur bregun e Paqësorit të Meksikës.
Uragani Lidia goditi Meksikën si një stuhi e kategorisë 4, duke sjellë shpejtësi të erës deri në 140 mph (220 km/h).
Por stuhia është dobësuar pasi ka lëvizur në brendësi të vendit, dhe Qendra Kombëtare të Uraganeve të SHBA (NHC) e ka ulur atë në statusin e Kategorisë 2.
Autoritetet në shtetin e Nayarit thanë se një burrë humbi jetën kur një pemë ra mbi furgonin që po ngiste, shkruan BBC.
Lidia arriti në tokë pranë qytetit të vogël të Las Penitas pak para orës 18:00 me kohën lokale (00:00 GMT).
NHC tha se Lidia po lëvizte lindje-verilindje me 17 mph (28 km/h) dhe duhet të dobësohet shpejt ndërsa lëviz mbi terrene të ngritura në Meksikën perëndimore-qendrore.
“Erërat kërcënuese për jetën me forcë uragani priten përgjatë rrugës së stuhisë gjatë natës,” shtoi NHC, duke paralajmëruar për nivele të rrezikshme të ujit, përmbytje të shpejta dhe fryrje në bregun e Paqësorit.
Përpara stuhisë, presidenti i Meksikës Andrés Manuel López Obrador njoftoi se 6000 anëtarë të forcave të armatosura ishin vendosur për të ndihmuar banorët.
“Unë u bëj thirrje njerëzve që jetojnë midis Nayarit dhe Jalisco, veçanërisht në Bahia de Banderas, Puerto Vallarta dhe Tomatlan, të marrin masa paraprake,” tha ai në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, duke rekomanduar njerëzit të qëndrojnë larg zonave të ulëta, lumenjve dhe shpateve.
Më herët, aeroporti i qytetit njoftoi se do të mbyllej nga ora 16:00 me orën lokale (22:00 GMT) deri në orën 08:00 të së mërkurës.
Disa pjesë të vijës bregdetare të Paqësorit të Meksikës kanë parë tashmë përmbytje të konsiderueshme këtë javë pas goditjes së stuhisë tropikale Max. Mediat lokale raportojnë se dy persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë në shtetin Guerrero.
Uraganët godasin Meksikën çdo vit në brigjet e saj të Paqësorit dhe Atlantikut. Sezoni zyrtar i uraganeve në vend zgjat nga maji deri në nëntor, ku shumica e stuhive zhvillohen midis korrikut dhe tetorit.