Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka ndërmend të takohet me presidentin rus Vladimir Putin këtë muaj, në margjinat e forumit “Belt and Road”, i cili do të mbahet në Kinë, raporton Demostat.
Liderët e Serbisë dhe Rusisë tashmë kanë konfirmuar publikisht pjesëmarrjen e tyre në samitin kinez, por mbetet një pyetje e hapur nëse ata do të takohen, që do të ishte takimi i tyre i parë kokë më kokë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Vuçiç së fundmi ka njoftuar se gjatë samitit do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, duke thënë se ai është mik i madh i Serbisë dhe se mezi e pret takimin.
“Deri në fund të vitit pres diskutime serioze dhe të rëndësishme me partnerët tanë shumë, shumë të rëndësishëm. Në tetor do të bëj një vizitë të rëndësishme në Kinë. Pyetja e madhe është se çfarë do të ndodhë atje, sepse pritet të arrijë edhe Putini”, tha Vuçiç në gusht.
Serbia me shumë gjasa do të shkojë sërish në zgjedhje në dhjetor, kështu që takimi me Putinin padyshim që do t’i sillte Vuçiç pikë shtesë me votuesit pro-rusë, shkruan Demostat.
Nuk do të ishte hera e parë që Vuçiç gjatë fushatës parazgjedhore luan me kartën e presidentit rus, popullariteti i të cilit në Serbi është i madh dhe nuk do të ishte hera e parë që ai takohej me të menjëherë para zgjedhjeve.
Putin është ende politikani i huaj më popullor në Serbi, dhe vitin e kaluar popullariteti i tij ishte vetëm një pikë përqindje më i ulët se ai i Vuçiçit, tregoi hulumtimi i Demostat.
Megjithatë, një takim me Putinin në mes të luftës në Ukrainë dhe menjëherë pas sulmeve të fundit në veri të Kosovës, do të dërgonte një sinjal tjetër që nuk do të pritej mirë në Perëndim.
Pas sulmit terrorist në Banjskë para një jave, ka ende shumë pyetje të hapura dhe një pjesë e opinionit s’ka dyshim se edhe faktori rus ka qenë i përfshirë.
Disa shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar tashmë vendosjen e masave ndaj Serbisë nëse vërtetohet lidhja e shtetit me sulmin.
Vuçiç dhe Putin u panë për herë të fundit në nëntor të vitit 2021 në Soçi, kur, zyrtarisht, tema kryesore e bisedës ishte dërgimi i gazit.
Në fund të majit të vitit të kaluar, Vuçiç dhe Putin biseduan në telefon, siç tha presidenti serb në atë kohë, për një sërë temash të ndryshme dhe më pas ranë dakord për një marrëveshje të re të gazit për tre vitet e ardhshme.
Në qershor të këtij viti, Vuçiç tha për mediat italiane se nuk kishte komunikuar me homologun rus Putin për më shumë se një vit.
Zyrtarët më të lartë të Rusisë nuk kanë ardhur në Serbi që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Vuçiç u takua me shefin e diplomacisë ruse në margjinat e sesionit të vitit të kaluar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ndërsa këtë vit kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq pati një takim me të.
Më pas Lavrov i ka përcjellë një mesazh Vuçiçit përmes Daçiç, duke komentuar fjalimin e Vuçiçit në OKB: “Perëndimi nuk do ta harrojë këtë”.
Këtë e ka bërë të ditur vetë presidenti Aleksandër Vuçiç gjatë paraqitjes së tij në RTS.