Deklarata “bombë” e eskpertit: NATO ishte në dijeni të sulmit terrorist në Kosovë, por heshti

Kosova përjetoi një sulm terrorist të dielën që lamë pas, ku një grup serbësh të armatosur, mes tyre dhe emra të njohur të botës së krimit dhe politikës, vranë efektivin e policisë Afrim Bunjaku, i cili ishte në krye të detyrës.

I menjëhershëm ishte reagimi i forcave të Policisë së Kosovës, të cilat arritën të asgjesojnë 3 prej terroristëve dhe të arrestonin katër prej tyre, ndërkohë që pjesa tjetër arriti që të arratisej nga manastiri i Banjskës ku edhe ishin strehuar.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, eksperti i gjeo-politikës, Olsi Baze, ndërsa ishte i ftuar në “Breaking” të moderatores, Dafina Hysa, bëri deklaratën e fortë, duke theksuar se ky sulm edhe mund të ishte parandaluar, pasi kishte informacion se do të ndodhte.

Baze theksoi se 3 shtete kishin informacion për një sulm të tillë, ndërsa theksoi se në dijeni të aktit ishte edhe NATO. Kjo deklatë lë të kuptohet se nuk ishin marrë masa për ta parandaluar.

Eksperti theksoi gjithashtu se aktualisht në Nish ndodhen tre baza ushtarake të kamufluara si qendra humanitare, ku kryehet stërvitje e vazhdueshme ushtarake.

Sipas tij nëse KFOR nuk ndërhyn për eleminimin e këtyre bazave, atëherë në të ardhem ekziston mundësia që sulmet serbe të jenë më të shpeshta dhe më agresive.


Shtuar 27.09.2023 22:42