“20 mijë euro shpërblim”, policia thirrje qytetarëve: Na tregoni ku ndodhet Klered Bozhanaj!

Policia e Shteti i ka bërë sërish thirrje qytetarëve të cilët mund të kenë informacion për vendndodhjen e Klered Bozhanajt, i cili plagosi mbrëmjen e djeshme një efektiv policie.

Ai ndodhet në arrati prej mbrëmjes së djeshme.

“Gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme, ka vijuar kërkimi intensiv për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë”, njofton policia.

Shërbimet e Policisë kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intesive, deri në kapjen e tij.

DVP Tiranë falënderon qytetarët, për informacionet e dhëna deri tani, të cilat janë duke u verifikuar nga Policia. Policia kërkon vijimin e bashkëpunimit, duke ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm, që do të çojë në kapjen e tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Si ndodhi ngjarja:

4 policë të repartit “Shqiponja” po patrullonin në zonën e Kinostudios, kur një person në rrugën “Hysen Xhura” sapo i pa nisi të vraponte dhe tentoi të ngjitej në shkallët e një pallati pranë.

Patrulla ndërkohë po e ndiqte nga pas, kur në vrap e sipër, Klered Bozhanaj, 42 vjeç kthehet më fytyrë nga polici që kishte më afër, Edlir Alleshi, dhe e qëllon me pistoletë dy herë. Autori, siç kanë treguar tre policët e tjerë, u largua sa hap e mbyll sytë në një rrugicë pa ndriçim.

Polici i plagosur, 34 vjeç, me ndihmën e kolegut të tij u fut në një lokal ngjitur me pallatin për të kërkuar ndihmë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjn e së mërkurës rreth orës 19:00 dhe nga ai moment askush nuk e di ku fshihet 42-vjeçari Bozhanaj.

Policia shoqëroi familjarë të tij, të cilët janë treguar shumë bashkëpunues, për të dhënë detaje ku mund të jetë fshehur, por pa një rezultat konkret. Tentativa për të komunikuar me të përmes celularit dhe rënies së një ujdie për vetëdorëzim doli e pasuksesshme, pasi që pas ngjarjes celulari i tij është fikur.


Shtuar 21.09.2023 14:24