Fotoja që shikoni më poshtë është e efektivit të repartit “Shqiponja” Edlir Alleshi, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e sotme, nga një person i armatosur, të cilin po e ndiqte në zonën e Kinostudios së bashku me kolegë të tij, pasi sinjalizimit se kishte armë dhe përbënte rrezik për komunitetin.
Alleshi mësohet se ka marrë dy plumba në bark dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe i është vënë pas autorit Klered Bozhani, i cili dyshohet se është larguar me një automjet nga vendngjarja, por që ende nuk dihet vendndodhja e tij e saktë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar.
Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.