Ka shkuar në 11, 300 numri i të vdekurve në qytetin bregdetar Derna të Libisë, ndërsa vazhdojnë kërkimet pas përmbytjeve masive që shkaktoi çarja e dy digave si pasojë e shirave të dendur, tha organizata humanitare Gjysmëhëna e Kuqe Libiane.
Marie el-Drese, ndihmëse e sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se më shumë se 10, 100 persona rezultojnë të zhdukur. Autoritetet e shëndetësisë kishin njoftuar me herët se numri i të vdekurve ishte 5500.
170 persona të tjerë humbën jetën në zona të tjera të vendit si pasojë e stuhisë.
Përmbytjet zhdukën lagje të tëra dhe shuan qindra familje në Derna. Po ashtu, ekspozuan dobësitë e vendit të pasur me naftë që është zhytur në konflikt, që pas kryengritjes së vitit 2011 që rrëzoi diktatorin në pushtet Moammar Gadafi.
Ministri i Shendëtesisë, Othman Abduljaleel, tha se viktimat po varrosen në varre masive. Deri të enjten në mëngjes, sipas tij, ishin varrosur 3 mijë viktima.
Nuk dihet se sa mund të jetë numri i viktimave që kanë mbetur nën rrënoja ose nën baltë.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një ndihmë emergjente prej 74.1 milionë dollarësh për të përballuar nevojat urgjente të më shumë se 250,000 qyetarëve që janë më të prekur nga përmbytjet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka njoftuar dërgimin e fondeve në ndihmë të organizatave në Libi dhe për të mbështetur autoritetet vendase dhe Kombet e Bashkuara për të dhënë ndihmë shtesë. /VOA