Shqiptari goditet me plumb në kokë pas një sherri banal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një shqiptar është plagosur me armë zjarri.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen Menidi të Athinës, ku pas një sherri banal, shqiptari është qëlluar me plumb në kokë.

Gjithçka ka nisur të shtunën e kaluar, kur shqiptari ka shkuar në një festë në këtë lagje, por papritur ka filluar një sherr mes tij dhe dy personave të tjerë. Në sherr ka hyrë dhe një 35-vjeçar grek, i cili ka goditur në fytyrë shqiptarin.

Të shtunën u mendua se sherri përfundoi aty, por në orët e para të ditës së sotme, shqiptari ka shkuar i armatosur në të njëjtin vend, duke hapur zjarr ndaj 35-vjecarit grek dhe duke e plagosur në këmbë.

Duke u larguar, shtetasi shqiptar është përplasur me një kalimtar duke i rënë arma nga dora. Armën ka arritur ta marrë 35-vjeçari grek, i cili ka hapur zjarr ndaj shqiptarit duke e plagosur rëndë në kokë. Të dy janë transportuar në spital, ku greku është në gjendje të mirë ndërsa shqiptari është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Shqiptari, me origjinë nga Fieri, rezulton person me precedentë të rëndë penal dhe ka dalë së fundmi nga burgu.


Shtuar 29.08.2023 19:32