Trafikonin ekstazi, burg për 5 të arrestuarit, mes tyre dhe aktivisti i Vetëvendosjes

Gjykata penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “burg pa afat” për 5 të arrestuarit e operacionit antidrogë, ku u sekuestruan 11300 doza ekstazi.

Arrest në burg u caktua për dy shtetasit nga Kosova, Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, si dhe për tre të tjerët Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia.

Besnik Mujeci ishte aktivist i Vetvendosjes, por u përjashtua nga radhët e saj pas lajmit të arrestimit.

Gjyqtari Gert Hoxha pranoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani që 5 të arrestuarit të vijojnë të hetohen në qeli.

Operacioni u zhvillua gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 15 gushtit, ndërsa ditën e djeshme, 16 gusht Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj doli me një deklaratë zyrtare.

Lokalizimi

Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Si transportohej droga

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë.

Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.

Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.

Çfarë u sekuestrua

Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta./Albeu.com