Roli që luajtën elektorët e rremë në përpjekjet e ish presidentit Donald Trump për të mos u larguar nga pushteti, është në qendër të aktpadisë së ngritur ndaj tij, për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Elektorët janë delegatë partish, të caktuar paraprakisht, që teknikisht zgjedhin presidentin. Pas numërimit të votave në një shtet të caktuar, elektorët e kandidatit fitues, votojnë në asamblenë e shtetit, duke certifikuar rezultatet e shtetit për kandidatin fitues.
Vota e tyre i dërgohet më pas Kongresit në Uashington, i cili, në një seancë formale, bën thjesht numërimin e votave elektorale dhe certifikon fituesin.
Ish presidenti Trump, akuzohet se komplotoi për të dërguar në Kongres, jo votat e elektorëve të ligjshëm, që kishin votuar për kandidatin Biden, por votën alternative të elektorëve të rremë.
Në aktpadinë prej 45 faqesh, të ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith thuhet se pasi ish- presidenti Donad Trump nuk mundi t’i bindte zyrtarët shtetërorë që të ndryshonin në mënyrë të paligjshme zgjedhjet në favor të tij, ai dhe aleatët e tij republikanë, filluan të rekrutojnë një sërë elektorësh të rremë në shtatë shtete kryesore ku rezultati ishte më i ngushtë, në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nju Meksiko, Nevada, Pensilvani dhe Viskonsin, që ata të certifikonin, në shkelje të ligjit, se zgjedhjet në shtetet e tyre respektive i kishte fituar zoti Trump dhe jo demokrati Joe Biden.
Sipas hetuesve, plani për elektorët e rremë nisi në Viskonsin, me një memorandum të avokatit që mbulonte sfidat ligjore të zotit Trump gjatë fushatës, Kenneth Chesebro.
Ky i fundit, thuhet në aktakuzë, shkroi një memo në mesin e muajit nëntor të vitit 2020, që i bënte thirrje mbështetësve të zotit Trump në këtë shtet, të dilnin dhe të votonin për të, në rast se veprimet ligjore mbi rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet do të ishin të suksesshme. Në Viskonsin, ekipi elektoral i Presidentit Trump kërkoi rinumërimin e votave.
Por më shumë se një muaj më vonë, u lëshua një tjerër memo, ku bëhej thirrje për ta shtrirë këtë strategji edhe në shtete të tjera, duke krijuar një sërë “elektorësh të rremë” për zotin Trump.
Sipas hetuesve, qëllimi final ishte që të mos lejohej që zoti Biden të siguronte 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, që ai të merrte presidencën në 6 janar.
REKTRUTIMI I ELEKTORËVE TË RREMË
Më tej, thuhet në aktpadi, nisi procesi i rekrurtimit të elektorëve të rremë.
Ish presidenti Donald Trump dhe avokati John Eastmani i kërkuan Kryetares së Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, për ta ndihmuar zotin Trump të rekrutonte elektorë në 6 shtete. Sipas akuzës, në mënyrë të pavërtetë, zoti Trump dhe avokati i tij, i thanë asaj se elektorët do të përdoreshin vetëm nëse padia e zotit Trump për zgjedhjet do të rezultonte e suksesshme, dhe ajo pranoi të ndihmonte.
Sipas padisë, disa elektorë të rremë në Pensilvani i kishin shprehur avokatit Rudi Giuliani dhe këshilltarëve të tjerë të zotit Trumpl rezerva për të firmosur një çertifikate që i paraqiste ata si elektorë të ligjshëm për shtetin, por se zoti Giuliani i kishte siguruar se çertifikatat e tyre do të përdoreshin vetëm në rast se paditë ligjore të zotit Trump mbi zgjedhjet do të rezultonin të suksesshme.
Po në të vërtetë, sipas hetuesve, përmes një emaili të 13 dhjetorit, një ditë para se Kolegji Elektoral të mblidhej për votimin që përcaktonte zyrtarisht presidentin e ardhshëm, avokati i zotit Trump, Chesebro, thoshte se plani ishte që këta elektorë të rremë të paraqiteshin si një alternative ndaj elektorëve të ligjshëm gjatë procedurës së çertifikimit në Kongres.
“PLANI I ÇMENDUR”
Sipas hetuesve, në prag të çertifikimit të zgjedhjeve në Pensilvani, njerëz të afërt me fushatën e zotit Trump, përshirë një këshilltar të lartë, ngritën shqetësime në një bisedë të përbashkët në telefon, mbi planin për elektorët e rremë. Një zëvendës drejtues i fushatës së ish presidentit ishte shprehur se skema ishte kthyer në një plan të çmendur.
“PROCEDURA E RREME”
Në 14 dhjetor të vitit 2020, ndërsa elektorë demokratë që mbështesnin zotin Biden u mblodhen për të hedhur votën e tyre, u mblodhën gjithashtu edhe elektorët republikanë. Ata firmosën dhe dorëzuan certifikata të rreme të Kolegjit Zgjedhor ku deklarohej se zotit Trump ishte fitues i zgjedhjeve në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nju Meksiko, Nevada, Pensilvani and Viskonsin.
Këto certifikata, iu dërguan përmes emailit edhe Kongresit dhe Arkivës Kombëtare.
Këto çertifikata u injoruan nga ligjvënësit amerikanë, por hetuesit thonë se e gjitha kjo ishte pjesë e planit të zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
6 JANARI
Aleatët e zotit Trump në ditët para 6 janarit ushtruan trysni të madh ndaj Zëvendëspresidentit Mike Pence, për të përdorur elektorët e rremë për të justifikuar shtyrjen e certifikimit të zgjedhjeve në Kongres. Një nga avokatët e zotit Trump madje sugjeroi se zoti Pence duhet thjesht të mos i konsideronte elektorët dhe ta shpallte atë fitues.
Zoti Pence refuzoi në mënyrë të vazhdueshme një gjë të tillë, duke bërë që ish presidenti Trump të ankohej se ai ishte “tepër i ndershëm”, sipas padisë.
Të enjten, pas përfundimit të procesi në gjykatë ku ish presidenti tha se ishte i pafajshëm, ish nënpresidenti Pence, i cili po ashtu ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet e 2024 tha se “atë ditë, Presidenti Trump më kërkoi ta vendosja mbi Kushtetutën. Por unë zgjodha Kushtetutën”. /VOA