Sheshi ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, u mbush mbrëmë plot me njërëz, për të shënuar një festë që bashkon ushqimin dhe muzikën. Publiku i ngazëllyer që priste me padurim fillimin e koncertit të këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Armend Rexhepagiqi, koncert ky që përveç që shënonte rikthimin e këngëtarit para publikut pas disa viteve mungesë, shënoi edhe hapjen e festivalit ‘Prishtina Gastronomy Festival’.
E pas disa minuatave, pritjes së publikut i erdhi fundi pasi në skenë doli këngëtari Armend Rexhepagiqi, i përcjellur nga duartrokitje dhe brohoritje të pafund nga publiku dhe adhuruesit e muzikës së tij. Ai filloi koncertin e tij me një prej këngëve ikonë të tij ‘Shkel’, këngë kjo që krijoi një atmosferë të paharrueshme qysh në hapje.
‘Dashurinë ku e kam’, ‘Tavolina e mërsizë’, ‘Bileta’, ‘Edhe nje here’ dhe ‘Dudije’, ishin vetëm disa nga hitet e Rexhepagiqit që argëtuan e futën publikun nën tingujt e melankolisë dhe nostalgjisë për gati dy orë. Në çdo tingull dhe fjalë, Rexhepagiqi çoi publikun në një udhëtim emocionues.
Ky koncert dëshmoi edhe njëherë për jetëgjatësinë e këngëve të Rexhepagiqit, të cilat që nga ato më të vjetrat, i kanë rezistuar kohës dhe vazhdojnë edhe sot dëgjohen dhe u kënduan edhe mbrëmë njëzëri me këngëtarin.