Valter Bami, i cili u ndalua mbrëmjen e djeshme nga policia lidhur me atentatin në Larushk, ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen.
Gjatë atentatit të ndodhur më 4 korrik mbeti i vrarë Ramazan Sino dhe u plagosën djemtë e Gentjan Bejtjas (i cili ishte dhe shënjestra) 10 dhe 13 vjeç.
Bami ka deklaruar në polici se nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa për sa i përket gjurmëve të barutit të gjetura në duart e tij, tha se bën qitje rregullisht me një armë sportive që e ka në banese me leje.
Bami ka deklaruar madje se Ramazan Sinon e kishte të afërm dhe ndjen keqardhje për ngjarjen e ndodhur.
“Ndjej keqardhje për humbjen e jetës së Ramazan Sinos që e kam të kushëri pasi nëna e Ramazanit dhe nëna ime janë vajza tezesh. Do ta dorëzoj lejen e armës që zotëroj dhe do kërkoj lirimin”, mësohet të ketë thënë i akuzuari.
Valter Bami u ndalua dje nga policia dhe u shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Sipas policisë, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri./Albeu.com./