Më 4 korrik, Ramazan Simo 29 vjeç u vra, ndërsa dy të mitur u plagosën.
Shënjestër e atentatit isjte Gentjan Bejtaja, i cili shpëtoi për herë të tretë.
Lidhur me ngjarjen policia mori në pyetje dy vëllezërit Durim e Valter Bami si dhe Marklen Hakën, të cilët më pas u lanë të lirë.
Por, ditën e sotme Valter Bami është ndaluar nga policia dhe është shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Sipas policisë, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.
Njoftimi:
Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi R. S. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi V. B., 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se:
Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.
Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi V. B., 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë.
Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme.
/Albeu.com.