Valter Bami është shoqëruar në polici në lidhje me atentatin në Larushk të Fushë Krujës. Kjo është hera e dytë që ai shoqërohet në lidhje me të njëjtën ngjarje.
Ndërkohë, ditën e sotme janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë, që mësohet kanë lidhje shoqërore me Bamin, teksa policia më herët ka bërë kontroll në banesën e tij.
Ditën e djeshme Valter Bami u shoqërua bashkë me vëllanë e tij, Durim Bami. Ata u lanë të lirë, pasi u pyetën lidhur me atentatin ndaj Gentian Bejtjes ku mbetën të vrarë kunati i këtij të fundit Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët 10 dhe 13 vjeç.
Kujtojmë që atentati në Larushk të Fushë Krujës ndodhi pak pas mesnatës së 4 korrikut, kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat.
Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke e lënë dajën e të miturve në vend, ndërsa të dy u plagosën.
Në afërsi të Tapizës u gjet një automjet i djegur që dyshohet se u përket autorëve, të cilët janë larguar pa gjurmë.