Shqipëria dhe Ukraina, kush do të futet e para në BE? Shanset e vendeve sipas analistëve

“Atlantic Council

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 1 korrik, u mbushën 10 vite që kur Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Evropian. Nga ajo kohë, unionit nuk i është bashkuar asnjë vend tjetër. Kjo është periudha më e gjatë pa një anëtar të ri për BE-në dhe institucionet e saj paraardhëse që nga viti 1973.

Lisa Homel, ndihmës/drejtoreshë e Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik: Shqipëria sukses me reformën në drejtësi, po rruga përpara mbetet ende e gjatë

Shqipëria mori statusin e vendit kandidatit për në BE në qershor 2014. Deri më sot progresi më i madh i Shqipërisë drejt anëtarësimit ka qenë reforma e saj e thellë në sistemin  e drejtësisë, e cila është e paprecedentë në Ballkanin Perëndimor në aspektin e ambicieve të saj.

Reforma solli shkarkimin e më shumë se 60 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjithë vendin, të cilët u konstatuan se kishin lidhje kriminale, pasuri të fshehura ose sjellje joprofesionale. Por pavarësisht kësaj nisme, Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë.

Ndërsa në letër reforma është e fortë, vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria vuan ende nga një nivel i lartë korrupsioni (madje edhe në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor), dhe duhet të forcojë rekordin e saj në paditë mbi rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke i dhënë përparësi nismave kundër pastrimit të parave konsolidimin e të drejtave pronësore.

Valbona Zeneli, anëtare e Qendrës për Evropën:Përparimi i vështirë drejt BE në Bosnje Hercegovinë, krijon hapësirë veprimi për Rusinë dhe Kinën

Bosnja ka marrë statusin e kandidates vetëm në dhjetor të vitit të kaluar. Procesi i gjatë dhe i vështirë i integrimit në BE, mungesa e reformave të qëndrueshme në vend, qeverisja jofunksionale, ndarjet etnike, zhvillimi i dobët ekonomik dhe korrupsioni sistematik i elitave etno-politike që kontrollojnë institucionet, e kanë shtuar apatinë dhe skepticizmin e qytetarëve boshnjakë.

Anëtarësimi në union mbështetet nga gjysma e popullsisë, por 35 për qind besojnë se vendi nuk do të anëtarësohet kurrë në BE. Në këto kushte, po rritet rreziku i vizioneve konkurruese për të ardhmen e vendit dhe konkurrentët strategjikë të BE-së, Rusia dhe Kina, po fitojnë më shumë hapësirë.

Laura Linderman, anëtare e Qendrës Eurazatike të Këshillit Atlantik:Rrëshqitja në sferën ruse të ndikimit e pengon përparimin e Gjeorgjisë drejt BE-së

Në qershor 2022, Komisioni Evropian vendosi të mos i japë Gjeorgjisë statusin e kandidatit, ndryshe nga Moldavia dhe Ukraina. Komisioni i dha asaj një “perspektivë evropiane” dhe kërkoi zbatimin e 12 rekomandimeve. Qeveria gjeogjiane u përpoq të miratonte një ligj për agjentët e huaj, sipas modelit rus, që ishte jodemokratik dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rekomandimet e Brukselit.

Ajo u tërhoq vetëm pas protestave të mëdha popullore. Nëse BE i jep tani statusin e kandidatit, rrezikon të shpërblejë një qeveri që po rrëshqet në autoritarizëm. Por nëse refuzon rrezikon ta dërgojë Gjeorgjinë në një zonë burokratike gri, ku mund ta gjejë veten gjithnjë e më të paaftë ose jo të gatshme për t’iu kundërvënë ndikimit rus.

Agon Maliqi, analist dhe studiues i pavarur nga Kosova:Progresi drejt BE ka ngecur për shkak të përplasjeve me Serbinë

Kosova e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në në vitin 2015 dhe vjet dorëzoi kërkesën për statusin e kandidatit. Edhe pse 85 për qind e kosovarëve dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, Kosova përballet me një pengese unike, sepse 5 shtetet anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj (Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja).

Një parakusht kyç i vendosur nga BE-ja që Kosova të ecë përpara, ka qenë përmbyllja e marrëveshjes së normalizimit të raporteve me Serbinë, e cila ka ngecur që nga viti 2015. Përkeqësimi i situatës së sigurisë në veri muajt e fundit, dhe procesi i ngecur i anëtarësimit të Kosovës në BE, e dëmton përparimin e arritur vitet e vendit në reformat demokratike dhe luftën ndaj korrupsionit.

Andreë D’Anieri, ndihmës/drejtor në Qendrën Euraziatike:Korrupsioni dhe Transnistria mbeten sfida madhore për Moldavinë

Moldavia mori vitin e kaluar statusin e kandidatit. Presidentja pro-evropiane Maia Sandu e ka futur vendin e saj në rrugën e duhur. Ajo është shumë e vendosur për të kryer reforma reale, dhe si një ish-zyrtare e FMN, ka kombinimin e duhur të aftësive teknokratike e diplomatike për ta udhëhequr Moldavinë drejt Evropës.

Por vendi duhet të përmbushë 9 kushte para anëtarësimit, 7 më shumë se Ukraina në luftë. Dhe me një popullsi prej 3 milionë banorësh, Moldavisë i mungon kapaciteti i Ukrainës, teksa përballet me sfida të ngjashme të ndikimit të jashtëm kryesisht nga Rusia. Kishinau vazhdon të përballet me politikanët dhe oligarkët e korruptuar, të cilët kërcënojnë se do të hedhin në erë reformat e Sandu-së, duke e larguar Moldavinë nga BE-ja.

Maja Piscevic, anëtare e Qendrës për Evropën:Që të ecë më shpejt drejt BE-së, Mali i zi ka nevojë për një koalicion të qëndrueshëm politik

Mali i Zi i nisi negociatat për anëtarësimin në BE 11 vjet më parë. Deri më tani Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt, por ka mbyllur vetëm 3. Negociatat u ndalën në vitin 2018 kur Brukseli e bëri të qartë se përparimi në procesin e anëtarësimit do të kushtëzohej drejtpërdrejt nga përparimet në sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.

Aktualisht po zhvillohen negociatat për formimin e qeverisë së re. Partia fituese në zgjedhjet e fundit është Lëvizja Evropa Tani (PES). Sfida kryesore për liderin e saj Milojko Spajic, kryeministër i mundshëm në qeverinë e re, do të jetë formimi i një koalicioni të qëndrueshëm dhe të aftë për të zbatuar reformat e nevojshme që do të hapnin rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Problemet më të mëdha janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ato s’mund të zgjidhen pa një reformë të thellë në drejtësi dhe polici.

Ilva Tare, anëtare e Qendrës për Evropën:Për shkak të vonesave, në Maqedoninë e Veriut  po bie mbështetja publike për anëtarësimin në BE

Pavarësisht marrjes së statusit kandidat që në 2005, vendi priti 18 vite që rekomandimet e Komisionit Evropian të kthehen në negociata zyrtare. Marrëveshja e Prespës me Greqinë,  nuk arriti të përmbushë premtimin e saj për përparim më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, duke zbehur më tej shpresat.

Bllokada e Bullgarisë në nëntor 2020 ndaj negociatave të anëtarësimit, duke kërkuar ndryshime kushtetuese për pakicën bullgare, e përkeqësoi më tej situatën. Ndaj tani është dobësuar ndjeshëm besimi i qytetarëve, duke e minuar ndjeshëm besueshmërinë e BE-së në krahasim me 2 dekada më parë.

Vetëm premtimet dhe fjalët e mira nuk do të mjaftojnë për ta ndryshuar situatën. Nxitja e ekonomisë nëpërmjet investimeve dhe përmirësimi i standardeve të jetesës, do të ishte një hap shumë i mirëpritur, duke e rigjallëruar rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe duke e rikthyer besimin tek procesi.

Cameron Munter, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi:Të ulurit në dy karrige,  nënkupton asnjë lëvizje domethënëse drejt BE-së

Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në dhjetor 2009. Por gjatë dekadës së fundit, Serbia nuk ka bërë përparim në reformat e nevojshme për anëtarësim, dhe ka vazhduar qasjen e saj të “uljes në 2 karrige” (duke pretenduar përkushtim ndaj një kursi perëndimor dhe mbetur e lidhur ngushtë me Rusinë).

Për më tepër, udhëheqja aktuale ka qenë e shkathët në kërkimin e burimeve të tjera të mbështetjes dhe investimeve (investimet e Kinës dhe nga shtetet e Gjiri Persik) edhe pse

BE-ja ka ofruar pjesën kryesore të ndihmës. Fati i luftës në Ukrainës mund të ketë ndikim tek lidershipi dhe opinioni publik në Serbi, por tani për tani ka një “lodhje të madhe të BE-së nga zgjerimi” dhe një mungesë besimi tek serbët se anëtarësimi në union është i afërt.

Alp Ozen, ndihmës në Këshillin Atlantik:Sundimi i ligjit dhe problemi i Qipros, po pengojnë një proces të ngecur prej kohësh

Turqia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në vitin 1987, ndërsa negociatat zyrtare filluan në vitin 2005. Por progresi ka qenë i ngadaltë dhe deri më sot janë hapur 16 nga 35 kapituj. Vetëm njëri ka përfunduar, 14 janë bllokuar për shkak të vendimeve të Këshillit Evropian dhe Qipros.

Raporti i fundit i Brukselit theksonte se qeveria turke nuk ka adresuar shqetësimet serioze të BE-së për përkeqësimin e vazhdueshëm të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe pavarësisë së gjyqësorit. Sipas një sondazhi të vitit 2022, 59 për qind e turqve mbështesin anëtarësimin në BE.

Benton Coblentz, ndihmës në programin Euraziatik:Ndërsa reformat përparojnë, bisedimet e pranimit për Ukrainën mund të fillojnë që këtë vjeshtë

Ukrainës iu dha zyrtarisht statusi i kandidaturës në BE në qershor 2022. Brukseli vendosi 7 kushte përpara nisjes së bisedimeve të pranimit. Muajin e kaluar, BE- ja raportoi se Ukraina kishte përmbushur 2 nga këto kushte, dhe ka shënuar përparim të mirë në 5 të tjerat.

Dy kushtet e përmbushura tashmë kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe median. Kievi mund të fillojë bisedimet e pranimit që në vjeshtë, pasi të plotësohen të shtata kushtet. Ky proces do të jetë një proces i gjatë dhe teknik, por zyrtarët ukrainas dhe populli ukrainas kanë treguar përkushtimin e tyre të fortë ndaj këtij procesi.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 3.07.2023 10:17