Nga Robert Farley “19 Forty Five”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Të shtunën e kaluar Rusia u zhyt në kaos si pasojë e një kryengritje të dështuar nga Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar Wagner. Rebelimi, që tregoi haptazi disa nga të çarat në arkitekturën e regjimit që ka ndërtuar Vladimir Putin, shkaktoi disa shqetësime mbi sigurinë e armëve bërthamore ruse.
Ideja e rrëmbimit të armëve bërthamore nga luftëtarët gjatë një lufte civile, është një nga skenarët e makthit për analistët e sigurisë. Sigurisht, kjo nuk është përpjekja e parë për një transferim të dhunshëm të autoritetit në një vend që zotëron armë bërthamore. Shumica e vendeve me armë bërthamore kanë vuajtur nga një lloj krize e lidershipi jashtëligjor.
Franca
Më 13 shkurt 1960, Franca testoi armën e saj të parë bërthamore në një zonë të largët shkretinore në brendësi të Algjerisë. Testi ishte i vështirë në aspetin politik, sepse Parisi ishte në grahmat e një lufte si me komunitetin e qytetarëve francezë në Algjeri (pied noir) ashtu edhe me lëvizjen algjeriane për pavarësi (FLN).
Pak më shumë se një vit më vonë, kur u bënë të dukshme synimet e qeverisë së De Gaulle për t’i dhënë pavarësinë Algjerisë, një grup gjeneralësh francezë nisën një grusht shteti që synonte të parandalonte lëshimin e kolonisë franceze. Grushti i shtetit dështoi të shkaktojë një kryengritje të përgjithshme si në Algjeri por edhe brenda Francës, dhe përpjekja u neutralizua pas disa ditësh.
BRSS dhe Federata Ruse
Ndoshta grushti më i frikshëm në historinë e armëve bërthamore ndodhi në vjeshtën e vitit 1991, kur një grup gjeneralësh sovjetikë bënë një përpjekje të vonuar për të shmangur rënien e Perandorisë Sovjetike. Komplotuesit arritën ta merrnin pushtetin për rreth tre ditë, duke e vendosur në arrest shtëpiak presidentin Mikhail Gorbachev.
Politikë-bërësit amerikanë i zuri paniku, por u përpoqën të ruanin qetësinë aq sa ishte e mundur për të shmangur prishjen e zhvillimit të ngjarjeve. Dështimi i atij grushti shteti e përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik, duke nxitur shkëputjen e shumë republikave që e përbënin BRSS.
Gorbaçovi e rimori pushtetin, por vetëm për një kohë të mjaftueshme për të menaxhuar fundin e shtetit që drejtoi. Federata Ruse trashëgoi pjesën më të madhe të arsenalit bërthamor sovjetik por edhe pjesën më të madhe të paqëndrueshmërisë së tij.
Në vjeshtën e vitit 1993, një krizë kushtetuese degradoi në luftime të hapura në Moskë midis partizanëve të Dumës ruse dhe presidentit rus Boris Yelstin. Ky i fundit i mposhti kundërshtarët e tij dhe e ruajti gjatë gjithë krizës kontrollin e arsenalit bërthamor të Rusisë.
Kina
Republika Popullore e Kinës u bë një vend me armë bërthamore në vitin 1964, në prag të Revolucionit të Madh Kulturor Proletar. Në shtatorin e vitit 1971, ndarja midis Mao Ce Dunit dhe njërit prej vartësve të tij kryesore, Lin Biao, ishte bërë e pakapërcyeshme.
Detajet e mbi “Incidentit Lin Biao” mbeten të paqarta, por autoritetet kineze pohojnë se Lin u përpoq të merrte pushtetin nga Mao. Kur përpjekja dështoi u përpoq të arratisej në Bashkimin Sovjetik kur përpjekja shkoi keq. Avioni ku gjendej Lin u rrëzua në Mongoli, duke vrarë të gjithë njerëzit që ndodheshin në bord.
Pas vdekjes së Maos, për disa kohë pati paqartësi mbi kontrollin e shtetit kinez. “Banda e të Katërve”, që përfshinte bashkëshorten e Maos, Jiang Qing, bëri një lojë për pushtet në Pekin, duke vendosur kontrollin mbi qytetin dhe duke sfiduar udhëheqjen më të gjerë të Partisë Komuniste Kineze (PKK).
Megjithatë, në atë kohë baza e pushtetit të Partisë Komuniste Kineze ishte e lidhur ngushtë me kontrollin ushtarak rajonal, duke vendosur kufizime të qarta në aftësinë e çdo të huaji për të marrë kontrollin e shtetit. “Banda e të Katërve” u arrestua pas një gare 1-mujore për ndikim mbi Ushtrinë Çlirimtare Popullore. Me sa duket qasja tek armët bërthamore nuk ishte kurrë në diskutim, duke mbetur në duart e zyrtarëve të ushtrisë.
Pakistani
Një nga shqetësimet kryesore në lidhje me zhvillimin e armëve bërthamore të Pakistanit përfshinte perceptimet mbi sistemin e tij politik të paqëndrueshëm. Pakistani pësoi shumë grushte shteti dhe tentativa përpara se të bëhej një vend me armë bërthamore. Po ashtu pësoi disfatë ushtarake dhe humbje territoresh në favor të fqinjit të tij.
Në tetorin e vitit 1995, një grup oficerësh të ushtrisë u përpoqën dhe dështuan të rrëzonin presidenten Benazir Bhutto. Në vitin 1999, gjenerali pakistanez Pervez Musharraf rrëzoi kryeministrin Nawaz Sharif në një grusht shteti të nxitur nga përpjekjet e këtij të fundit për
të arrestuar ushtarakun.
Ai grusht shteti shkaktoi një shqetësim të madh në Perëndim, kryesisht për shkak të pasigurive rreth natyrës dhe strukturës së sistemeve të komandës dhe kontrollit të armëve bërthamore. Fakti që shteti u mor nën kontroll nga shefi i forcave të armatosura ofroi njëfarë ngushëllimi. Megjithatë linjat themelore të autoritetit mbi armët bërthamore mbetën të pa sfiduara.
Shtetet e Bashkuara
Më 6 janar 2021, presidenti në detyrë i SHBA-së, Donald Trump, tentoi një auto-puç, një përpjekje të jashtëligjshme për të mbetur në pushtet pavarësisht humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Përpjekja e Trump u neutralizua shumë shpejt, megjithëse ai mbeti Komandant i Përgjithshëm edhe për 2 javë të tjera.
Ushtria nuk mori pjesë në grushtin e shtetit dhe certifikimi i zgjedhjeve nga Kongresi vazhdoi pas një vonese të vogël. Situata mbeti e tensionuar për pjesën e mbetur të mandatit të Trump, por më 21 janar autoriteti mbi armët bërthamore i kaloi në mënyrë paqësore presidentit të ri Joseph Biden.
Çfarë duhet të mendojmë?
Armët bërthamore nuk u kanë dhënë vendeve që i zotërojnë qetësi apo imunitet nga trazirat e brendshme. Në më shumë se një rast, kontrolli mbi armët bërthamore ka qenë në rrezik gjatë përpjekjeve të dhunshme për të ndryshuar me forcë qeverinë. Vetëm Britania, Izraeli, Koreja e Veriut dhe India, kanë shmangur një incident të dhunshëm të brendshëm që kur u bë një vend bërthamor, në rastin e Indisë emergjenca ishte shumë akute.
Për fat të mirë, ky kaos duhet të çojë ende në një situatë në të cilën armët bërthamore ose rrëmbehen ose përfundojnë në anët e ndryshme të një konflikti civil. Megjithatë, siç ka treguar situata në Rusi gjatë ditëve të fundit, armët bërthamore dhe destabiliteti i brendshëm janë dy aspekte që përfundimisht nuk shkojnë mirë së bashku.
Shënim:Dr.Robert Farley është lektor mbi çështjet e sigurisë dhe diplomacisë në Shkollën Paterson në SHBA që nga viti 2005.