Byroja Kombëtare e Hetimit, ditën e sotme ka sekuestruar serverin e kamerave në Bashkinë e Kukësit, pas video-skandalit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.
Dy oficerë të NKH kanë mbërritur në bashkinë e Kukësit dhe kanë kërkuar takim me përgjegjësin e IT.
Pasi e kanë pyetur nëse sistemi i kamerave ishte në funksion, hetuesit kanë hyrë në ambientin e serverit, ku kanë qëndruar rreth 35 minuta.
Gjatë kësaj kohe ata kanë bërë kopjimin e materialeve të regjistruara, përfshirë edhe datën 6 kur dyshohet se ka ndodhur edhe regjistrimi i videos së bërë publike ku Safet Gjici shihet duke kryer marrëdhënie me një grua në zyrën e kryebashkiakut.
Mësohet se pamjet po analizohen tashmë nga grupi i hetimit SPAK.
Prokuroria e Posaçme hapi çështje penale kryesisht me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj Safet Gjicit, pas publikimit të videos më 16 qershor.
Burime nga SPAK, bënë të ditur se qëllimi i sekuestrimit të serverit në Bashkinë e Kukësit është verifikimi i kohës kur ka hyrë aty gruaja, e identifikuar si Alma.K që shfaqet në videon intime me ish-kryebashkiakun Safet Gjici. Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje edhe protagonistët e videos./Albeu.com.