Histori shqiptare, burri ka 6 muaj i larguar nga shtëpia: Nuk kthehem se gruaja kërkon vetëm para

Për 22 vjet Albina u kujdes për prindërit e bashkëshortit të saj, Yllit dhe për disa kohë, edhe për vëllain e tij. Nga trashëgimia që ata kanë lënë pasi ndërruan jetë, Ylli përfiton një pjesë të konsiderueshme të pasurisë.

Por siç u shpjegua në fillim të “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, prej 6 muajsh Ylli ka ikur nga shtëpia duke lënë pas Albinën me 3 djemtë dhe ka shkëputur kontaktet. Në takimin e tyre në seancën e ndërmjetësimit, ai thotë se Albina i kërkon vetëm para, por nuk i jep një arsye për largimin e tij.

Ligjërisht, Albina nuk ka të drejta mbi trashëgiminë sepse nuk është pasuri e vënë gjatë martesës, por moralisht ajo kërkon që të marrë diçka pasi nevojitet për familjen. Megjithatë, më e rëndësishmja për këtë grua është që familja të mos prishet. Ylli shprehet se ajo nuk do të marrë asgjë, do të kujdeset për fëmijët por do  të vijojë të mos kthehet në shtëpi.

Ylli: Kur të marr ato që më takojnë mua nga babai im, unë do të mendoj edhe për fëmijët, por për zonjën jo.

Eni Çobani: Jo, dua të kuptoj këtë, atë qera që do marrësh ti nesër…

Ylli: Qera, lekët, asnjë qindrakë s’do marrësh nga unë. Trashëgimia e babait tim nuk ka lidhje me këtë.

Eni Çobani: Po e thamë, nga ana ligjore nuk ka lidhje, dakord jam unë. Po nga ana morale i takon kësaj gruas ndonjë lek apo jo?

Albina: A e kupton se çfarë është fjala morale mor Ylli? Çfarë kërkon më? Pse nuk kthehesh në shtëpi?

Eni Çobani: Albina, kjo pra është pyetja e fundit, pse nuk kthehesh në shtëpi? Kjo pra është e vërteta. Kemi kthim në shtëpi Ylli apo jo? Do kthehesh te Albina dhe te djemtë apo joo?

Ylli: Zonja Eni unë akoma nuk kam bërë gjë për trashëgiminë.

Albina: Po pse trashëgimia është më interesante se sa familja? Trashëgimia aty është, të takon po të them, do ta marrësh, ¼ do ta marrësh, do ta pjesëtosh me vëllezërit dhe me motrat, nuk do ta marrësh të tërë ti! Atë ¼ që do marrësh mbaje për vete, haje, gëzoje, shijoje, por familja kërkon burrin, babain, bashkëshortin.

Ylli: M’u ka bërë koka kaq me këtë grua!

Eni Çobani: Nuk e do më?

Ylli: Jo. Nuk e dua më.

Albina: Ky është burri, për lekët të hedh në tokë! Miliona njerëz, miliona vite ne gratë lajmë, shpëlajmë, gatuajmë, i bëjmë të gjitha! Çfarë bëni ju burrat, vetëm tralala? Jo birra, jo raki, e kaloni jetën me shokët, me shoqërinë!

Eni Çobani: E do akoma Yllin?

Albina: Po patjetër moj zonjë! Unë prandaj kam ardhur këtu që të mos na shkatërrohet familja!

U kujdes 22 vite për familjarët e burrit, ai ia kthen: Je e luajtur, s’ke punë me pasurinë e prindërve të mi!

Prej 6 muajsh, Ylli është larguar nga shtëpia e tij në Gjermani ku jetonte me Albinën dhe 3 djemtë e tyre. Pas 22 vitesh martesë ku së bashku kanë kaluar shumë vështirësi, ai shprehet në “Shihemi në Gjyq” se nuk dëshiron të kthehet në shtëpi sepse Albina i kërkon vetëm para.

Albina thotë se kërkesa e saj është e drejtë pasi për 22 vjet është kujdesur për prindërit e Yllit dhe për familjarët e tij duke shtuar këtu edhe kujdesin ndaj fëmijëve. Pavarësisht argumenteve të Albinës, Ylli nuk ka një arsye të fortë që t’i shpjegojë asaj publikisht në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan pse ka ikur, madje shprehet se kontributi i saj financiar ka qenë vetëm për 3 vjet sepse ka shfrytëzuar lejen e lindjes.

Albina: Para shumë vitesh, edhe vëllait të Yllit i ndodhi e njëjta gjë, u nda dhe erdhi te ne. E pranuam ne në shtëpi..

Ylli: Po ç’lidhje ka vëllai këtu?

Albina: Shtëpia ishte e vogël, me 50 metra, 8 veta në një familje. Isha unë ajo që i bëja të gjitha. Prindërit po, kunati po, tre çunat po. I vogli ishte 5-6 muajsh në atë kohë.

Eni Çobani: I mbaje ti zonjë?

Albina: Po unë i mbaja. Kunati ikte në punë dhe për 8-9  muaj, 1 vit nuk dha asnjë lek të na ndihmonte ne.

Ylli: Moj zonjë ti vetëm 3 vite ke punuar se 6 vite të tjera ke ndenjur vetëm me leje lindje, çfarë është kjo? Kam punuar unë, po.

Albina: Me leje lindje? Sa kollaj që është për ju  burrat!

Ylli: 15 vjet kontribute në Itali e 7 vjet që punoj në Gjermani.

Albina: E di çfarë do të thotë leje lindje?

Ylli: Po, po e di.

Albina: Urdhëro, të mbash edhe familje, leje lindje, të mbash edhe fëmijët…

Ylli: Po rri në shtëpi, çfarë  bën?

Siç shpjegohet, babai i Yllit ka lënë një pasuri të konsiderueshme prej së cilës ai përfiton ¼ e saj. Ylli i thotë gruas së tij se ajo s’ka asnjë të drejtë mbi këtë trashëgimi sepse nuk përmendet emri i saj.

Ylli: Unë nuk është se kam marrë ndonjë pasuri, por kjo është e luajtur fare. Nuk arrij ta kuptoj, ku e gjeta këtë pasuri unë? Ku?

Albina: Po shpjegoje pra ti! Shpjegoje! Pse ikën dhe bredh, sa në Greqi, sa në Itali?

Ylli: Po ç’lidhje ka pasuria me ty moj zonjë? Ç’lidhje ka pasuria e prindërve të mi me ty? Ku je ti?

Albina: Jo mor jo!

Ylli: Kjo nuk është në terezi fare!

Albina: Unë të laj e të shpëlaj te shtëpia, të mbaj edhe çunat, t’i mbaj edhe të gjithë dhe unë nuk quhem?! Po çfarë jam unë ore, shërbëtorja jote?

Ylli: Për pasurinë në Gjermani e në Itali mund të flasësh sa të duash sepse kemi punuar bashkë dhe atë e kemi vendosur bashkë, kurse këtë që më ka lënë babai im, këtu të lutem, shumë, këtu s’ke punë ti!

Albina: Si more nuk kam unë? Unë e kam larë e shpëlarë, sa herë ka ikur në spital…

Ylli: Të ka lënë testament babai im ty?

Albina: Ah po se ta la ty.

Ylli: Stop! Deri këtu! Nuk të ka lënë testament, je në rregull.

“Grua me zor nuk mbaj, të rrijë me norma”, deklarata e burrit habit Albinën

Kërkesa e Albinës në “Shihemi në Gjyq” është vendosja e kontaktit me burrin e saj, Yllin i cili prej 6 muajsh është larguar nga shtëpia. Rubrika e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ka mundur ta gjejë Yllin që ka lënë pas një martesë 22-vjeçare. Sipas tij, “gruaja duhet të rrijë me norma” ose në të kundërt, do të largohet.

Ylli: Po pse mor burrë i dheut grua me zor do mbaj unë? Njeriu kur është normal e mban, kur s’është normal e ndan dhe kaq. Jam i lirë të jetoj siç dua vetë, ç’është kjo kështu? O të rrijë me norma gruaja ose unë nuk rri më në shtëpi. Kjo është fjalë  burri!

Albina, e cila ndodhet në studio, thotë se nuk e kupton deklaratën e Yllit në insert. Ajo shprehet se nuk ka bërë asgjë që ai të shprehet kështu sepse në 22 vjet i kanë kaluar bashkë vështirësitë.

Albina: Unë nuk po e kuptoj çfarë kërkon ai ndaj meje sepse që në 2000 që jemi martuar, aty pastaj bëmë dokumentat, erdhën prindërit e Yllit, vjehrri me vjehrrën sepse dhe për mua sot të flas për ta është shumë e vështirë sepse sot ata kanë ndërruar jetë dhe nuk… kanë qenë me mua 22 vjet, që i kam shërbyer, që i kam ndenjur çdo gjë.

Ardit Gjebrea: Mua më vjen mirë që ti po prekesh për vjehrrin dhe vjehrrën.

Eni Çobani: Ka shkuar mirë në fakt.

Albina: Ato janë operuar, vjehrri është operuar një herë, vjehrra po ashtu ka shkuar 2-3 herë nëpër spitale dhe vetëm unë me Yllin i kemi bërë gjithë këto sakrifica.

Pas 22 vitesh martesë burri zhduket për 6 muaj, gruaja: Hera e fundit që e kërkoj!

Albina kërkon në “Shihemi në Gjyq”, bashkëshortin e saj prej 22vjetësh, Yllin. Në insertin prezantues të rubrikës  së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Albina shpjegon se prej 6 muajsh nuk ka asnjë kontakt me të. ajo e bën të qartë se kjo është hera e fundit që e kërkon.

Albina: Pas 22 vjetësh, nuk kam më burrë fare. Ai është larguar 6 muaj dhe nuk më hap as telefonin, as nuk përgjigjet fare, fare. Nuk e di pse, kush është arsyeja e vërtetë për këtë gjë, si duket leku i ndryshoka njerëzit. Është hera e fundit që unë e kërkoj Yllin. Ai le të bëjë si të dojë!

Në studion e programit, Albina shton se kërkon arsyen e vërtetë të largimit të tij.

Albina: Unë quhem Albina Dervishi, jetoj në Gjermani. Jam e martuar 22 vjet. Kam 3 çuna. Tani jetoj vetëm sepse burri që kam sjellë  këtu, Ylli Dervishi, ka 6 muaj që është larguar. Është hera e fundit që e kërkoj sepse jam munduar shumë.

Ardit Gjebrea: Pse është larguar Albina?

Albina: Unë prandaj kam ardhur këtu sepse nuk e di arsyen e vërtetë zoti Ardit. Pas 22 vjet martese bashkë, kemi kaluar çdo vështirësi, çdo stres, çdo të paparë, për mua është e pashpjegueshme./tvklan.al


Shtuar 18.06.2023 19:52