Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka thënë nëse ka marrë një vendim lidhur me ftesën e Përfaqësuesit të Lartë të BE, Josep Borrell, për të shkuar në një takim në Bruksel në lidhje me krizën në veri.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj data 23, pastaj data sërish 22. Do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do t’i japim një përgjigje javën e ardhshëm”, tha ai.
Kurti tha në një prononcim për media nga Krusha e Madhe ku shkoi pranë bustit të Ukshin Hotit , se është i angazhuar në dialog.
Ai shtoi se po mungon zbatimi i sekuencimit të plotë e pa kushte e pa vonesa i Marrëveshjes bazike dhe Ankesit të zbatimit.
“Një sekuencim që do të ishte i balancuar dhe fer, por që praktikisht është krejt i ndryshëm prej asaj që na është ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktivë, por s’mundet që çfarëdo sekuencimi që të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se është i interesuar që t’i përfshijë në sekuencim, por se “dedikimi i atyre s’mund të jetë me aso prioriteti dhe përmasa”.