Një skandal në bashkinë e Kukësit ishte kryelajmi i ditës së djeshme në vend, teksa ngjarja ka tronditur politikën.
Një video e kryebashkiakut tashmë të dorëhequr, Safet Gjici, ku ai shihet duke kryer seks në zyrë, u bë publike në rrjet dhe në media.
Videoja ishte filmuar në datën 6 qershor, rreth orës 16:00, teksa nuk dihet ende si dhe nga kush u publikua.
Menjëherë pas lajmit, Prokuroria e Posaçme nisi procedim penal për Gjicin. Ndërkohë, ipas nenit 105 të Kodit Penal kryerja e e marrëdhënieve seksuale duke shpërdorur raportet e vartësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Gjici dha dorëheqjen pas publikimit të videos, duke thënë se ra në një kurth, teksa pretendon se me vajzën në video kishte marrëdhënie prej disa muajsh.
Deklarata e plotë e Gjicit:
Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rash pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve.
Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam mëse i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarërisht se i rënë në kurth.
Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhëtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë.
Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jeten kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Ndërkohë, pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimi bëri me dije se Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shkarkuar menjëherë Gjicin.
Nga ana tjetër, opozita e ka quajtur fytyrën e vërtetë të pushtetit skandalin në fjalë.
Tashmë pritet vendimi i SPAK për ish-kryebashkiakun e Kukësit, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.