Orban në Tiranë, Rama mirënjohës: Hungaria ka mbrojtur procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ditën e sotme ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Në konferencën e përbashkët për gazetarët, kryeministri Rama tha se kjo është një vizitë për të vazhduar në rrugën e bashkëpunimit, dhe vizita e delegacionit shqiptar në Budapest hapi një rrugë të re  ku u vendosën disa piketa falë të cilave po duken rezultate të prekshme. Rama tha se Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e BE.

Rama: Hungaria dhe kryeministri Orban kanë mbrojtur vijimësisht, pa kusht procesin e përshpejtimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. I jam mirënjohës se kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm me fjalë, por ka qenë mbështetje e konkretizuar me ekspertizë  të vënë në dispozicion për qeverinë tonë. Është e rëndësishme që ky zë dhe argument të dëgjohet nga të gjitha shtetet anëtare. Jam mirënjohës që kryeministri Orban është shtytësi kryesor i investimeve hungareze në Shqipëri. Hungaria ka edhe dicka të vetën në Shqipëri, i dha një princeshë që u bë Mbretëresha e Shqipërisë. Jam i bindur se Mretëresha Geraldinë është mirënjohëse në emër të shqiptarëve që je këtu.

Rama tha se duan të kenë më shumë kompani dhe kanë folur për të sjellë më shumë investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe gjithashtu shpreson që të ketë rezultate edhe në fushën e turizmit, e cila sipas Ramës është kthyer në një urë lidhëse mes dy vendeve.

Kreu i qeverisë e përfundoi fjalën e tij duke falënderuar Orban  dhe tha se vizita e tij së bashku me atë të Presidentes konfirmojnë gjendjen pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve tona./Albeu.com/.


Shtuar 16.06.2023 11:19