Cagliari fitoi 0-1 me Barin në transfertë dhe siguroi kështu një vend në Serinë A të futbollit italian për edicionin e ri. Me ndeshjen e parë që në Sardenja përfundoi 1-1, do duhej dueli i kthimit që të vendoste skuadrën e tretë që do jetë pjesë e elitës së Italisë në futboll.
Asgjë nuk ka qenë e lehtë për djemtë e Claudio Ranierit, që iu falën golit të Pavolettit në fundin e ndeshjes, konkretisht në të 90+4 minutë. Asisti i Zappas u shfrytëzua mirë nga sulmuesi, që dërgoi në festë të tijtë.
Pas fërshëllimës së arbitrit Marco Guida, nga play-off Cagliari mori biletën e mbetur për në Serie A. Fundi ka sjellë lot trishtimi dhe gëzimi, me trajnerin Claudio Ranieri që në moshën 71-vjeçare siguroi ngjitjen në Serie A. Tekniku veteran do jetë sërish pjesë e elitës në Itali, teksa pas ndeshjes ka qarë si fëmijë. Me Cagliarin që siguroi ngjitjen dhe Veronën që mundi Spezian, kompletohet edhe numri i skuadrave italiane që do jenë pjesë e Serie A në sezonin e ri.
20 skuadrat e Serie A për sezonin e ri: Atalanta, Bologna, Cagliari, Empoli, Fiorentina, Frosinone, Genoa, Inter, Juventus, Lazio, Leçe, Milan, Monza, Napoli, Roma, Salernitana, Sassuolo, Torino, Udinese, Verona.