Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur ditën e sotme në Shijak ku tre vëllezër kanë rrahur dhe kërcënuar pronarin e një lokali.
Policia bën me dije se njëri prej tyre ka rënë në pranga, ndërsa për dy të tjerët ka nisur hetimi në gjendje të lirë.
Pas informacioneve për një konflik për motive të dobëta në një local në Shijak, policia ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin dhe për të arrestuar shtetasit përgjegjës.
Si rezultat u bë arrestimi i shtetasit Fabian Çalliku, 27 vjeç, banues në Shijak, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit Xh.Çalliku, 32 vjeç, A. Çalliku, 27 vjeç, gjithashtu banues në Shijak.
Nga këto veprime rezultoi se shtetasi F. Ç., në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me armë imituese, shtetasin M. Rr., 29 vjeç, banues në Shijak (pronar i një lokali në Shijak), e kanë goditur atë me send të fortë (çekiç), si dhe kanë thyer xhamat e lokalit në pronësi të tij.
Sendet e kundërligjshme që u përdorën për kryerjen e këtij krimi, si dhe automjeti i këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”./Albeu.com/