“Krisja” e marrëdhënieve me Berishën, Kokalari njofton takimin për zyrtarizimin e Lëvizjes Konservatore Shqiptare

Ashtu sikurse kishte lajmëruar më herët, Evi Kokalari, ish-mbështetësja e Berishës, ka nisur punën për krijimin e lëvizjes Konservatore në Shqipëri. Ajo bën me dije se më 18 qershor do të zhvillohet takimi i parë zyrtar për krijimin e Lëvizjes. Kokalari tha se të ftuar do të jenë edhe përfaqësues të partive të djathta evropiane si dhe të Partisë Republikane në SHBA.

“Të djelën, në 18 Qershor, në orën 12:00 tek Hotel Rogner, Tiranë – fillojmë në mënyrë zyrtare Lëvizjen Konservatore Shqiptare.  Kemi të ftuar nga Partitë e djathta europiane dhe nga Partia Republikane Amerikane.  Hyrja e lirë por e limituar.  Shihemi së shpejti”, shkruan Kokalari.

Siç njoftoi më herët, Kokalari ka qëllim të organizojë të djathën ashtu siç duhet, pa element të LSI dhe pa persona që kanë nevojë për karrige.

Kujtojmë se Kokalari, dikur një mbështetëse e zjarrtë e ish-kryeminsitrit Sali Berisha u distancua nga ky i fundit në momentin kur zyrtarizoi bashkëpunimin me LSI-në.

Ajo akuzoi Berishën se nuk mbajti fjalën e dhënë për të bërë reformimin e duhur brenda së djathtës dhe se nuk ndoqi parimet konservatore ashtu siç pati premtuar në fjalimet e tij në foltoret e organizuara në qytete të ndryshme të vendit.

/Albeu.com. 


Shtuar 10.06.2023 12:18