Mes emocionesh, këngëtarja Nita Latifi kujton momentin e dhimbshëm kur takoi të atin në burg.
Për “S’e luan Topi”, Nita tha se kjo përvojë traumatike ka shënjuar në jetën e saj, duke e lënë atë me një pasojë, belbëzimin. Këngëtarja tregoi se ka belbëzuar nga mosha 8 deri më 16 vjeç dhe për të mos rënë në sy, u kthye në një fëmijë të ndrojtur, të tërhequr.
Sipas Nitës, kjo ka qenë edhe një nga arsyet pse ajo, pavarësisht se kishte talent, nuk shkoi për të studiuar në shkollë të muzikës.
Pjesë nga biseda:
Pyetje: Të kthehemi pas kur ke qenë 7-vjeç, momenti kur ke shkuar të takosh babain tënd në burg. Është një moment shumë i rëndësishëm për jetën tënde sepse ty të ka shkaktuar një traumë apo jo?
Nita Latifi: Po, këtë e kam përshkruar edhe te linja e jetës në Big Brother VIP. Unë kësaj i them një histori e jetës time që ka rezultuar me një magji në fund. Po them magji sepse fillimisht ishte një traumë. Ishte viti 2001 kur babi ishte në burg dhe kemi shkuar ta takojmë pas njëfarë kohe, për shkak se ishte në luftë. Takimi im i parë pas 3 muajsh ka qenë kështu një traumë për mua.
Si fëmijë i vogël që kam qenë më ka bërë përshtypje pse nuk i kishte lidhëset e këpucëve. Ajo më ka godit fort dhe më pas fillova të belbëzoj. Kam pasur probleme me të folurën, belbëzoja, që nga mosha 8 deri në 16 vjeç.
Ka qenë një periudhë jo dhe shumë e lehtë për mua, sepse fillova të bëhesha shumë e ndrojtur. Ai fëmija që nuk flet shumë, që tenton t’i iki vëmendjes në situata të ndryshme, si në shkollë, aktivitete.
Pyetje: Të bullizonin, të tallnin?
Nita Latifi: Joo… Me të thënë të drejtën, në kohën time, kur kam qenë në shkollë fillore nuk kam pasur ndonjë bullizim apo vuajtje prej shokëve dhe shoqeve të klasës. Përkundrazi, ka qenë një mbështetje, përkrahje. Madje, më kujtohet edhe mësuesja ime e ndjerë, ka punuar shumë për mua për ta kapërcyer këtë situatë.
Nuk është se ka qenë jashtëzakonisht e shprehur, por unë jam munduar shumë që të mos vihej re dhe gjithmonë mundohesha të largohesha nga qendra e vëmendjes. P.sh: Që e vogël është vënë re talenti im në muzikë, por sa ka vuajt mësuesja ime për të më çuar për të kënduar para klasës, por ka qenë e pamundur sepse kam qenë shumë e ndrojtur dhe gjithçka vinte për shkak të problemit me belbëzimin. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse skam shkuar për të studiuar në shkollën e muzikës.