Lirimi i Tahirit nga burgu, Berisha: Doli me urdhër të kryeministrit, “kërcënoi” Ramën se do t’i zbërthente lidhjet me bandat

Sali Berisha ka komentuar lirimin e Saimir Tahirit nga burgu ditën e sotme.

Sipas Berishës, “ish-ministri u lirua me urdhër të kryeministrit Edi Rama, pasi e kërcënoi këtë të fundit se do t’i zbërthente lidhjet me bandat.”

Berisha: U lirua me urdhër të Edi Ramës, me ultimatum që Tahiri i çoi Edi Ramës se është dita e fundit e durimit përndyshe do zbërthej lidhjet kriminale të Olsit dhe të Edit nga Meksika deri në Afrikë të Jugut. Është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë paralajmërim botërisht dhe zyrtarisht që unë do di të mbrohem, dhe më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën i cili është i ngërthyer në aferën McGonigal dhe po bën lobimin më të fuqishëm që të shpëtojë. Por nuk do shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Sorosit dhe miqve të vet.

Ish-ministri, Saimir Tahiri, ka lënë qelinë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit, Tahiri do të vazhdojë pjesën e mbetur të dënimit në masën “arrest shtëpie”. Vendimi për lirimin e Tahirit u mor sot nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Matilda Fetahu.

Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.

Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Sipas Apelit të GJKKO Tahiri rezulton se ka pasur lidhje me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.

Ndërkohë, 2 prej 3 gjyqtarëve të Apelit të GJKKO që kanë dënuar Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg ishin në konflikt interesi.

Kujtojmë se Saimir Tahiri e nisi “betejën” e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster.

Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj , të afërm të Tahirit.
/albeu.com/ 

 


Shtuar 2.06.2023 12:36