Von Cramon: Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me manovrat në veri

Raportuesja e për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon tha se situata në veri nuk është e qëndrueshme, duke shtuar se Qeveria po bën manovra të rrezikshme.

Ajo foli për vizitën që e pati të dielën atje, ndërsa tha se ka hasur në shumë pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Von Cramon tha se askush nuk mund të qeverisë me një apo dy për qind të votave.

“Unë e vizitona veriun dhe jam e brengosur se është situatë e tensionuar, atje gjenden shumë pjesëtarët të Njësisë së Forcave Speciale. Kryetarët janë zgjedhur në mënyrë legjitime, por kjo nuk nënkupton që ata kanë fuqi legjitime që të hyjnë në objekte dhe që këtë qasje ta sigurojnë më forcë”, tha ajo në një konferencë për media.

“Askush nuk mund të qeverisë me një ose dy për qind të votave. Situata nuk është e qëndrueshme”, shtoi Von Cramon.

Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë.

Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre. Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet./albeu.com/