Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si kryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ai do të jetë i përjashtuar nga partia njësoj si Basha.
Sot, Alibeaj ka reaguar duke e cilësuar Berishën “humbësin më të madh” të zgjedhjeve, ndërsa shtoi se paska bërë armiq të rinj.
Më tej, Alibeaj tha se bashkëpunimi i Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës.
Reagimi i Alibeajt:
Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. I zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore. Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës.