Begaj mesazh qytetarëve disa orë para heshtjes zgjedhore: Hidheni votën me përgjegjësi!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj iu është drejtuar qytetarëve me një mesazh për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta hedhin votën me përgjegjësi, pasi të zgjedhurit e tyre do të jenë përgjegjës për cilësinë e jetesës dhe mundësitë që do të krijohen.

Mesazhi i plotë:

 

Të nderuar votues!

Është mbyllur tashmë sipari i propozimeve që ju keni dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale.

Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur, kur kanë dashur dhe me intensitetin e paevitueshëm të propozimeve partiake.

Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni! Dhe kjo është thelbësorja, vota juaj!

Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës.

Pikërisht përfaqësuesit që do të zgjidhni nesër, do të jenë përgjegjës për cilësinë e saj.

Ata do kenë detyrimin e mirëmenaxhimit të burimeve vendore dhe për të krijuar nëpërmjet tyre mundësi të reja zhvillimi për projektet e së ardhmes për qeverisjen vendore.

Ndaj ju lutem hidheni votën tuaj me përgjegjësi, pa e anashkaluar këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetet e komunitetet tona.

 


Shtuar 12.05.2023 18:54