Nga Jon Sweet & Mark Toth “Fox News”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Teksa pranvera në Ukrainë do t’i lërë gradualisht vendin verës, presidenti rus Vladimir Putin dhe gjeneralët e tij po përpiqen që të menaxhojnë një ofensivë ushtarake dimërore të ngecur në vendnumëro në Donbas, e cila ka shkaktuar vdekjen e mbi 75.000 ushtarëve rusë dhe mercenarëve të Grupit Vagner.
Ndërsa sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, numri i përgjithshëm i viktimave ruse është mbi 200.000 që nga fillimi i luftës, po bëhet gjithnjë e më e qartë se ka të ngjarë që të shohim fillimin e fundit të Putinit në Ukrainë, sidomos kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe gjeneralët e tij të urdhërojnë nisjen e kundërsulmit të shumëpritur të Kievit.
Ukraina është një vend i madh në madhësinë e Teksasit. Kundërofensiva e Kievit mund të nisë nga kudo. Duke pasur parasysh hapësirën e madhe, gjenerali rus Valery Gerasimov po përballet me një sfidë të ngjashme me atë të marshallit gjerman Erëin Rommel në Luftën e Dytë Botërore në mbrojtjen e Francës dhe Norvegjisë të kontrolluar nga nazistët kundër një pushtimi aleat të Evropës.
Rezultati përfundimtar, si ai i Normandisë dhe Operacionit “Overlord” gjatë muajve të verës 1944 deri në vjeshtë, ka të ngjarë të diktojë rezultatin e “operacionit special ushtarak” të Putinit. Atëherë lind pyetja se ku dhe si do ta pozicionojë Gerasimov mbrojtjen e tij:në Donbas, Krime apo gjetkë?
Një pyetje tjetër është:Forcat ruse do të luftojnë, apo do të dorëzojnë armët dhe do të kthehen në Rusi? Deri më tani, ushtria ruse nuk ka treguar prirjen për t’u mbrojtur mirë. Natyra e betejave të zhvilluara në rajonin Kherson në vjeshtën e vitit të kaluar, mund të jetë një tregues domethënës i performancës së ardhshme ruse në fushën e betejës.
Kremlini beson se kundërsulmi ukrainas mund të nisë në Krime. Imazhet satelitore të kapura nga “Planet Labs” dhe “Maxar Technologies”, tregojnë qartë fortifikimet mbrojtëse dhe një rrjet të gjerë llogoresh që po ndërtohen dhe përgatiten me shpejtësi në Istmin Perekop.
Moska po e forcon shumë këtë urë tokësore të ngushtë, me një rol shumë strategjik, pasi ajo lidh Krimenë me pjesën e brendshme të Ukrainës. Këto fortesa të sapo-ngritura lidhen gjithashtu me pengesa natyrore. Ato po ndërtohen me nxitim përgjatë bregdetit për të parandaluar çdo lloj zbarkimi amfib.
Nëse Krimea do të jetë vendi ku do të nisë Dita D e sotme, atëherë kjo betejë është zhvilluar shumë herë në të njëjtin territor që nga kohërat e lashta, dhe më së afërmi gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ushtria gjermane pushtoi Krimenë e kontrolluar nga sovjetikët në vitin 1941.
Kievi mund të mësojë shumë gjëra nga leksionet që morën sovjetikët pas humbjes së asaj beteje, dhe më pas rimarrjen e gadishullit në vitin 1944:një mbrojtje në thellësi, me theksin tek ruajtja e Sevastopolit dhe Ngushticës së Kerçit për të mbështetur forcat e tyre.
Strategjia mbrojtëse ruse, është të ngadalësojë shpejtësinë e lëvizjes, të bllokojë formacionet e blinduara të armikut, dhe pastaj t’i shkatërrojë ato përmes zjarrit të artilerisë dhe sulmeve ajrore. Imazhet satelitore përshkruajnë mjetet e synuara të Moskës për ta bërë këtë:llogore, kurthe tankesh, kanale dhe barriera në formën e ”dhëmbëve të dragoit”.
Ruajtja e kontrollit të gadishullit të Krimesë, dhe e rajonit të Detit të Zi në rastin e një kundërsulmi ukrainas, e bën mbrojtjen e tij strategjikisht vendimtare për sigurinë kombëtare të Rusisë. Aq sa Kremlini shpalli “vijën e kuqe” për çdo pushtim të mundshëm të gadishullit dhe pak kohë më parë rrëzoi një dron amerikan mbikëqyrës që fluturonte mbi brigjet e tij. Gjeneral-lejtnant i pensionuar i ushtrisë amerikane, ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë, Ben Hodges, e ka bërë të qartë se “çlirimi i Krimesë” është çelësi për fitoren e Ukrainës në këtë luftë. Dhe përgatitjet e vazhdueshme mbrojtëse të Kremlinit, janë një dëshmi se Rusia ka arritur në të njëjtin përfundim.
Megjithatë, rusët kanë një problem. As komandanti i përgjithshëm, gjenerali Valerii Zaluzhnyi, dhe as komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjeneral-kolonel Oleksandr Syrskyi nuk do të lejojnë që sulmi i Kievit të përfshihet në rrjetën e përgatitjeve mbrojtëse në Krime të ndërtuar nga rusët.
Fortifikimet mbrojtëse të Putinit, njëlloj si Linja Maginot e Francës gjatë Luftës së Parë Botërore, janë statike, dhe të cenueshme nga ndërprerja e linjave të furnizimit. Po ashtu ato mund të anashkalohen. Gadishulli në vetvete, njësoj si një ishull, mund të izolohet dhe rrethohet nëse Ukraina vendos të shkatërrojë Urën e Kerçit dhe të ndalojë hyrjen në portet e Detit të Zi në Jaltë, Feodosia, Kerç, Sevastopol, Chornomorske dhe Yevpatoria.
Unë mendoj se kundërofensiva ukrainase ka të ngjarë të fillojë në Donbas, ku Rusia është në gjendjen e saj më të dobët në aspektin ushtarak. Por ajo do të përfundojë në Krimenë Jugore me një disfatë të madhe të ushtrisë ruse, dhe me kolapsin e mundshëm të regjimit të Putinit.
Siç e artikulon qartë Hodges, Ukraina duhet ta bëjë “të paqëndrueshëm” Gadishullin e Krimesë në një mënyrë metodike dhe përmes goditjeve të sakta në thellësi të tij mbi objektet kryesore ushtarake, shtabet ushtarake dhe Urën e Kerçit, linja kryesore e zinxhirit të furnizimit ushtarak nga pjesa kontinentale e Rusisë.
Ukraina nuk do të angazhohet me vendosmëri kundër një ushtrie ruse të mirë-pozicionuar në llogore. Përkundrazi, ajo do të diktojë kushtet e betejës duke zgjedhur kohën dhe vendin e fushëbetejës, do të manovrojë, dhe më pas do të mposhtë forcat tokësore ruse.
Ndërsa Kievi përparon në Krime, do të godasë dhe asgjësojë trupat, pistat ajrore, depot e furnizimit dhe municionet, si dhe selinë ushtarake që komandon dhe kontrollon mbrojtjen ruse. Çelësi i suksesit të Ukrainës është përparimi i shpejtë në Istmin Perekop, që do të kërkojë një përgatitje të gjerë të artilerisë dhe shtypjen e formacioneve të artilerisë ruse që mbështesin mbrojtjen e saj.
Kjo duhet të pasohet nga një përpjekje e fuqishme inxhinierike për të krijuar korsi, për të kaluar me shpejtësi drejt formacioneve të blinduara. Forcat tokësore ruse ka të ngjarë të futen në kolaps, pasi deri më sot e kanë treguar veten të paafta të ndryshojnë në varësi të situatave.
Ato nuk ka pasur asnjë ide alternative për të zbatuar që nga fillimi i pushtimit të tyre të dështuar që filloi më 24 shkurt 2022. Dhe s’ka asnjë arsye të besohet se ekziston një e tillë as sot, përveç kërcënimit të përsëritur të përshkallëzimit bërthamor.
Administrata Biden e ka vështirësuar pa pasur arsye këtë mision, duke ia mohuar Ukrainës aftësinë e goditjes në thellësi të prapavijës së armikut, në formën e sistemeve ATACMS dhe avionëve luftarakë F16. Por përmes zgjuarsisë, përshtatjes dhe shkathtësisë së shkëlqyer të Kievit, ekipi i Zelensky do të gjejë një mënyrë.
Trupat ukrainase po stërviten në Gjermani, Poloni dhe Ukrainë, për kryerjen e detyrave individuale dhe kolektive. Ekuipazhet po përvetësojnë me shpejtësi aftësitë e duhura luftarake për përdorimin e sistemeve të armëve të ofruara së fundmi nga vendet e NATO-s. Të kombinuara në fushën e betejës, ata kanë shumë mundësi të mposhtin një ushtri ruse të rraskapitur, të demoralizuar dhe të keq-armatosur. /albeu.com
Shënim:Jon Sweet, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, me 30 vjet përvojë si oficer i inteligjencës ushtarake.