Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar këtë të premë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hilën.
Nga Vau i Dejës Berisha theksoi se Zef Hila, është njëri nga drejtuesit, njëri nga qeveritarët vendorë dhe menaxherët më të shkëlqyer të PD-së, në qarkun e Shkodrës dhe në mbarë Shqipërinë.
Berisha: Zef Hila është një drejtues, menaxher, i cili në të gjithë karrierën e tij, ka lënë gjurmët më të thella të ndryshimi dhe zhvillimit. Në një akt përgjegjësie ndaj jush, dashurie dhe respekti, Zef Hila vendos të dorëzojë mandatin dhe të rikthehet tek ju pasi në një proces që ndodhte për herë të parë pas 32 vitesh, primare, ju e votuat atë për kandidat për qytetar të parë të bashkisë tuaj.
Sali Berisha theksoi se në zgjedhjet e 14 majit do të vendoset përmbysja e monizmit të dytë, i cili u instalua këto 8 vite në Shqipëri.
Berisha: 14 maji në të vërtetë është ditë zgjedhjesh së qeveritarëve vendorë, por realisht zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës tonë, janë zgjedhjet me të cilat ne më shumë se në çdo zgjedhje tjetër para atyre të 22 Marsit të 1992, firmosim për fatin e Vaut të Dejës, për fatin e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. Janë zgjedhje në të cilat ne, për fatin tonë firmosim për përmbysjen e monizmit të dytë, i cili u instalua këto 8 vite në Shqipëri.
Në fund të fjalës, Berisha shtoi se më 14 maj shqiptarët kanë votën për të votuar ndryshimin, shpresën, besimin.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen më shumë se kurrë më parë./albeu.com/